in

Shqiptari “zbulon” autorët e vrasjes së 13-vjeçares Yara. “I pashë në ëndërr”

Ka parë në ëndërr tre vetë që i kanë pohuar se kanë kryer vrasjen që tre vjet më parë tronditi Italinë. Pasi ka takuar rastësisht njërin prej personave të ëndërruar, i ka marrë numrin e telefonit dhe ka shkuar e ka treguar gjithçka te karabinierët

Romë, 10 janar 2014 – Duket e pabesueshme historia që po zë këto ditë faqet e gazetave, e që për një sërë arsyesh nuk mund të anashkalohet nga forcat e rendit: “një 40-vjeçar shqiptar ëndërron tre autorët e një vrasjeje, të cilën forcat e rendit nuk kanë arritur ende të zbardhin”.

Kanë kaluar tashmë tre vjet nga zhdukja e Yara Gambirasios, vajzës 13-vjeçare që pas tre muajve u gjet e vdekur në një fushë në Chignolo d’Isola në provincën e Bergamos. Por deri më sot hetimet unk kanë dhënë asnjë rezultat për zbardhjen e ngjarjes e hetuesit ndjekin të gjitha pistat e mundshme për gjetjen e vrasësit apo vrasësve të vajzës. Ua vënë veshin të gjitha sinjalizimeve që u mbërrijnë edhe atyre më të çuditshmeve e të pabesueshmeve. Dhe i tillë duket edhe rrëfimi i fundit, ai i një shqiptari që ditët e para të janarit është paraqitur vullnetarisht te karabinierët për t’u thënë se njeh “tre vrasësit e Yaras”, sepse i ka parë në ëndërr.

Shqiptari, një 40-vjeçar rezident në Pasirano të Brescias ka shkuar në kazermën e kabinierëve të qytetit dhe u ka treguar se nga fundi i dhjetorit 2013 ka ëndërruar vrasësit e vajzës nga Bergamo. Sipas tij janë tre burra, të cilët ua ka përshkruar në detaje karabinierëve.

Por rrëfimi i 40-vjeçarit nuk mbaron këtu. Sipas tij, më 31 dhjetor, duke kaluar në një rrugë të Brembate Sopra ka ndaluar e ka marrë në makinë një person që bënte autostop. Vetëm kur e ka pasur brenda veturës, shqiptari ka kuptuar i befasuar që personi që kishte realisht përpara ishte një nga tre vrasësit e ëndërruar pak ditë më parë. Madje, meqë personi i ka kërkuar celularin për t’i telefonuar të motrës, shqiptari u ka dhënë karabinierëve edhe numrin që i kish mbetur në telefon.

Edhe pse historia e treguar nga 40-vjeçari mund të duket e pabesueshme, karabinierët – që deri më sot nuk kanë arritur të gjejnë vrasësit e vajzës – nuk mund ta anashkalojnë e kanë nisur menjëherë punën në këtë drejtim. Vetëm duke kontrolluar e verifikuar çdo detaj të dhënë nga shqiptari, veçanërisht numri i telefonit, karabinierët mund të thonë nëse edhe ky sinjalizim është i pabazë, siç ka ndodhur edhe shumë herë të tjera, apo 40-vjeçari shqiptar ka vërtet fuqi të mbinatyrshme.

Shqiptari i Italisë

(Ndiqni ShqiptariiItalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

Durrës. Ndalohen shtatë të rinj, trafikonin drogë nga Lazarati drejt Italisë

Social Card për imigrantët? INPS dhe Posta akoma nuk e dinë