Aty do të bëhet transferimi i arsenalit kimik nga një anije daneze në një tjetër amerikane. Qeveria garanton se procesi do të bëhet në siguri të plotë
Romë 16 janar 2014 – Do të transitojnë në portin kalabrez të Gioia Tauros armët kimike të Sirisë. Tani gjenden në anijen daneze Arc Futura, të depozituara në 1.500 konteinerë dhe në portin italian do të bëhet kalimi i tyre në anijen amerikne Cape Ray. Lajmin e konfirmon ministri i Transporteve Maurizio Lupi në një mbledhje të përbashkët të komisioneve të jashtëm dhe të mbrojtjes, të Dhomës së Deputetëve dhe të Senatit.
“Operacioni do të bëhet brenda një harku kohor të shkurtër e sipas standardeve më të larta të sigurisë dhe të mbrojtjes së mjedisit, në struktura të posaçme” siguron komunikata e Qeverisë që jep lajmin e transitimit të armëve dhe transferimin e tyre nga një anije në tjetrën në portin Gioia Tauro. “Është fjala për operacionin e çarmatimit më të rëndësishëm të dhjetë vjetëve të fundit” pohon ministrja e Jashtme Bonino në fjalën e saj para Komisioneve lidhur me shkatërrimin e arsenalit kimik sirian.
Sipas agjencisë së lajmeve ANSA, i pari që ka ngritur zërin është kryetari i komunës së San Fernandos, komunë në të cilën shtrihet 75% e portit: “Po vlerësojmë nëse është e udhës të mbyllim të gjithë portin për kohëzgjatjen e operacioneve”.
“Po të ndodhë gjë, popullata do të ngrihet kundër meje” pohon i nxehur që nuk është marrë mendimi i autoriteteve lokale kryetari i komunës së Gioia Tauros që shton: “Është shumë e rëndë. Ndoshta ministrja Bonino nuk e di ç’është demokracia”.
Pak javë më parë mundësia e shkatërrimit të armëve kimike siriane në Shqipëri nxorri në shesh mijëra protestues në Shqipëri. Protestat detyruan qeverinë të tërhiqej e të mos pranonte çuarjen në Shqipëri të arsenalit kimik sirian.
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)