“Hera e parë”. Kledi, Anbeta & Co. në Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë
Pas suksesit të korrur dhjetorin e shkuar në teatrin Brancaccio të Romës, më 5 maj 2014 Anbeta Toromani, Kledi Kadiu e balerinë të tjerë të famshëm në katër anët e botës, do të kthehen me “Hera e Parë” atje ku e nisën karrierën e tyre, në Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë.
Anbeta e Kledi do të çojnë spektaklin Hera e Parë në Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë. Të hënën, më 5 maj 2014, ora 20.00.
Kledi Kadiu në “Hera e Parë” në Brancaccio të RomësSpektakli, i ideuar nga Kledi Kadiu e Anbeta Toromani, nën drejtimin artistik të Gentian Dodës, do të bashkojë edhe në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë, aty ku hodhën hapat e parë të karrierës, balerinët shqiptarë ndër më të famshmit, Anbeta Toromani, Kledi Kadiu, Erjon Kruja, Brigel Gjoka, Hektor Budlla, Leart Duraku, Rezart Stafa, Dorian Grori, e miqtë e tyre Claudia Vecchi, Beatriz Uhalte Cisneros, Alessandro Macario. Janë të gjithë artistë të angazhuar në kompani baleti, ndër më prestigjiozet në botë si: Hofesh Shechter Company, The Forsythe Company, Aterballetto, Balletto di Roma, Teatro san Carlo di Napoli, Compania Nacional de Danza, Balletto Classico Cosi Stefanescu, Balletto di Montecarlo.
Anbeta Toromani e Alessandro Macario në “Hera e Parë” në Brancaccio të RomësKishte lindur pikërisht si një homazh për vendlindjen në 100-vjetor të pavarësisë. “U bënë mëse 20 vjet që balerinët e brezit tonë janë shpërndarë nëpër botë, e prej kohësh e mendonim me Kledin të mblidheshim të gjithë bashkë në një spektakël dedikuar vendit tonë ku të gjithë ne hodhëm hapat e parë” – tregonte Anbeta Toromani për Shqiptari i Italisë para dhënies së spektaklit në Romë.
Krijimi i mundësisë për dhënien e “Herës së Parë” edhe në Shqipëri është “një mrekulli”. “Jemi të lumtur që arrijmë të kthehemi të gjithë bashkë atje ku e nisëm. Jemi entuziastë” thotë sot Kledi Kadiu për shqiptariiitalise.com, që falënderon në mënyrë të veçantë “Ministrin e Punëve të Jashtme Ditmir Bushati dhe Ministren e Kulturës Mirela Kumbaro, të cilët e mbështetën fort këtë nismë, Ambasadën italiane në Shqipëri e Institutin italian të Kulturës, si edhe Delegacionin e BE-së në Tiranë e qendrat e tij të informimit në Shkodër e Vlorë”.