in

Daria Bignardi: “Kush është kundër Evropës, le të shkojë njëherë në Tiranë e Stamboll”

Thirrjeve të shtuara në Itali e mbarë Evropën, kundër BE-së, gazetarja Daria Bignardi kundërvë dëshirën e Shqipërisë për të hyrë në Evropë e shpresën që vendi ynë ka në avokatinë e Italisë, apo protestat e të rinjve në Stamboll kundër qeverisë së tyre. I ka përjetuar nga afër ditët e fundit në dy udhëtimet e saj në Tiranë e Stamboll.

Ja çfarë shkruan Bignardi në blogun e saj në Vanityfair.it:

Gjatë pushimeve të Pashkëve isha tri ditë në Tiranë dhe tri ditë në Stamboll për të prezantuar “Akustikë e Përkryer”, i sapopublikuar në Shqipëri dhe në Turqi. Humba rikthimin e Berluskonit në televizion, por nga ana tjetër takova shumë persona interesantë.

Në Tiranë njoha shkrimtarin shqiptar Ardian Vehbiu, që jeton prej mëse 20 vjetësh në Neë York, por që ishte kthyer për të marrë pjesë në Festivalin e Librit dhe Artit pamor (libri “Sende që nxirrte deti” i Vehbiut fitoi çmimin “Ardian Klosi” të këtij festivali) ku isha e ftuar edhe unë. Më tregoi që në 1974 – në Shqipëri atëherë ishte komunizmi – gjeti një numër të të përditshmes Gazzetta dello Sport të tre viteve më parë dhe e ruajti për dhjetë vjet si një relike.

Në ato kohë kishin vetëm një të përditshme, organ zyrtar i partisë, dhe të mund të lexoje një gazetë të lirë, edhe pse fliste për sport, ishte një ndjesi dehëse. Duke e lexuar e rilexuar e mësoi përmendësh: më tha titujt e faqes së parë, fliste për një ndjeshje mes Interit dhe Borusisë Mönchengladbach që kishte përfunduar 7 me 1. Më rrëfeu edhe që kur kish qenë djalë i vogël, një shok, në fshehtësi të madhe, i kish treguar një saksofon, “instrumentin e djallit”, i ndaluar nga regjimi dhe ai ish emocionuar sikur të kishte parë një grua nudo.

Prej shtatë muajsh në Tiranë kanë një Kryeministër të ri, Edi Rama, piktor dhe intelektual i huazuar politikës që thotë se i zgjedh ministrat dhe ministret në bazë të mungesës së eksperiencës së tyre politike, që sipas tij,  është garanci ndershmërie dhe freskie. I uroj gjithë fatin e mundshëm: Shqipëria sot është një vend i ri, plot gjallëri e njerëz mendjendritur, ku ndien një klimë frymëzuese. Takova gra jashtëzakonisht inteligjente, si botuesja Arlinda Dudaj, gazetarja e Top Channel Rudina Xhunga, drejtoresha e televizionit A1 Report Alba Malltezi, ylli i televizionit, vajza e re Arbana Osmani. Në Shqipëri të gjithë janë rritur duke folur italisht dhe duke ëndërruar lirinë tonë dhe tani e shohin me besim dhe shpresë Italinë si vendin që duhet t’i ndihmojë për të hyrë në Evropë. Do ta meritonin.

***

Ndërsa ditën e dytë të qëndrimit në Stamboll, duke shëtitur nga Xhamia Blu te Shën Sofia, u ndesha me një kortezh të madh nxënësish dhe nxënësesh të mbuluara me shami të një shkolle islamike me në duar pankarta me thirrjen: “Duam kalifatin”. Kalifët u hoqën nga Ataturku, babai themelues i Republikës Turke në vitin 1924.

Turqia është një vend i madh me një histori të madhe, për të cilën sot Evropa duhet të jetë e shqetësuar: arrestimet e gazetarëve dhe opozitarëve të Erdoganit, kryeministri aktual islamist, janë me mijëra. Pashë në mure shkrime të të rinjve në Jerzy Park që përgatiten për manifestimet e 1 Majit, të ndaluara nga Qeveria: maska për t’u mbrojtur nga gazet lotësjellës që do të hedhë policia, ilaçe për stomakun kundër gazit, syze zhytësish.

Takova edhe në Stamboll gra interesante, por nuk do t’i shkruaj emrat e tyre: kam frikë se mund  mund t’u shkaktoj probleme. Vështrimet e tyre ishin me siguri më pak të ndezura se ato të grave shqiptare, shumë të ngjashme me tonat të pak kohëve më parë, kur kishim në qeveri ministra si Gasparri, La Russa, Giovanardi. Nuk dua natyrisht të krahasoj atë qeveri me këtë të Erdoganit, por depresioni që perceptohet, është po ai.

Edhe një udhëtim i shkurtër të lë të kuptosh se sa me fat jemi që jetojmë në një Vend të lirë e demokratik, dhe sa e rëndësishme është të dish të ruash demokracinë dhe lirinë. Dhe jo ta kesh mendjen të jesh kundër Evropës.

L’articolo in originale: Vi invito a Istanbul e Tirana se siete di quelli che gridano: no all’Europa

Intelektualët letër të hapur Kryeministrit: “Mbroni gjuhën shqipe”

“Hera e parë”. Kledi, Anbeta & Co. në Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë