Dritan Demiraj, që më 1 mars vrau në stazionin e Mozzates ish gruan e tij, Lidia Nusdorfi, më 23 prill ka pranuar se ka vrarë edhe të fejuarin e saj të fundit, Silvio Mannina.Trupi i këtij të fundit është gjetur sot i mbuluar nga rreth 30 cm ujë në një moçal në Santarcangelo di Romagna në provincën e Riminit
Romë, 24 prill 2014 – Dritan Demiraj, 29-vjeçari furrtar në Rimini, rrëfen papritur një vrasje të dytë. Në burg për vrasjen me thikë të ish gruas së tij, 35-vjeçarja Lidia Nusdorfi, më 1 prill në stacionin e trenit në Mozzate të Comos, pasditen e 23 prillit, pas pesë orëve marrjeje në pyetje ka pranuar edhe një vrasje tjetër, atë të Silvio Manninas, 30 vjeç, i fejuari i fundit i Nusdorfit, që kërkohej që në mars.
Sipas rrëfimit të Demirajt, e ka vrarë një ditë para vrasjes së Dusdorfit në një zonë të pabanuar të Riminit duke e mbytur me një kabëll. Më pas me celularin e Manninas i ka nisur një sms Nusdorfit duke i dhënë takim në nënkalimin e stacionit. E ka pritur aty dhe e ka sulmuar me thikë në dorë dhe e ka lënë në një pellg me gjak. Me gjakftohtësi ka marrë makinën e është kthyer në shtëpi të tij, në Rimini. Karabinierëve, në fillimet e hetimeve, u dha si alibi se ishte duke punuar në pasticerinë ku ishte i punësuar, alibi që brenda pak orëve ra.
Rrëfimi i fundit i Demirajt duket se ka qenë spontan. Ka qenë ai që ka kërkuar të merrej në pyetje nga prokurori.
Mëngjesin e sotëm Demiraj është shoqëruar nga karabinierë, zjarrfikës dhe punonjës të Mbrojtjes Civile në Santarcangelo di Romagna, vendin ku tha se ka vrarë e fshehur kufomën e Manninës. Pas disa orëve kërkime, kufoma është gjetur e mbuluar nga rreth 30 cm ujë në një moçal.