in

Çifti Rama në Vatikan. Papa Françesku bekon gruan shtatzënë të kryeministrit

Rama: “Audienca me Papa Françeskun, një orë e mrekullueshme përballë thjeshtësisë së Njeriut”.

Romë, 24 prill 2014 – Ndër lajmet e sotme nga Vatikani, edhe ai i takimit të kryeministrit Rama me Atin e Shenjtë që agjencitë italiane të shtypit kalojnë me titullin “Papa bekon gruan shtatzënë të kryeministrit shqiptar”. Duket se pas bisedës private me kryeministrin Rama, Papa Françesku ka bërë gjestin e bekimit për foshnjën që mban në bark Linda, bashkëshortja e kryeministrit.

Takimi i Edi Ramës me Papën ka zgjatur rreth njëzet minuta, dhe mbresat e këtij takimi kryeministri i ka shprehur në Twitter duke shkruar “Audienca me Papa Françeskun, një orë e mrekullueshme përballë thjeshtësisë së Njeriut”. Në fund të takimit, Papa i ka dhuruar kryeministrit imazhin e Shën Martinit, ndërsa Rama i ka dhuruar një hartë të Shqipërisë të shtypur në fletë bakri.

“Në bisedën e përzemërt është vënë theksi në marrëdhëniet e mira që ekzistojnë mes Selisë së Shenjtë dhe Shqipërisë dhe është diskutuar rreth çështjeve me interes të përbashkët lidhur me marrëdhëniet mes komunitetit kishës dhe atij civil, siç janë dialogu ndërfetar dhe kontributi i Kishës të mirën e përbashkët shoqërisë shqiptare. – shkruhet në komunikatën e shtypit të Vatikanit pas takimit – Biseda u përqendrua gjithashtu edhe në çështjet kryesore të Rajonit dhe në rrugën e Shqipërisë drejt integrimit të plotë në Bashkimin Evropian“. Në takim, Kryeministri shprehu domosdoshmërinë e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga ana e Vatikanit, në përputhje me realitetet e reja në rajon.

Kryeministri Rama e ftoi Papa Françeskun të vizitojë Shqipërinë në të ardhmen e afërt, ftesë të cilën Ati i Shenjtë e mirëpriti.

Në pallatin Apostolik, kryeministri ka takuar edhe kardinalin Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit të Vatikanit, të shoqëruar nga kryepeshkopi Dominique Mamberti, Sekretar për marrëdhëniet me Shtetet.

Gjatë vizitës në Vatikan, Rama shoqërohej veç bashkëshortes Linda, edhe nga Ministri i Jashtëm Bushati, Ministrja e Mbrojtjes Kodheli dhe Ministrja e Arsimit Nikolla.

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

Isli Hoxha, një shqiptar i Italisë në Actors Studio

Demiraj, veç vrasjes së ish gruas së tij, rrëfen se ka vrarë edhe të fejuarin e saj