Qeveria shqiptare nuk ka ende një marrëveshje me dy fqinjët, Italinë dhe Greqinë, për njohjen e viteve të punës për emigrantët. Revista ekonomike Monitor i dedikon një shkrim të veçantë emigrantëve shqiptarë në Itali ku për të përfituar pension nevojiten 20 vjet punë. Në kushtet aktuale të mungesës së një marrëveshjeje mes Shqipërisë dhe Italisë për bashkimin e viteve të punës, ndodh që emigrantë që kanë punuar 14 vjet në Shqipëri (minimumi i vjetërsisë në punë për marrje pensioni është 15 vjet) dhe 19 vjet në Itali të mos kenë pension nga asnjëra anë e Adriatikut.
Greqia dhe Italia vazhdojnë të refuzojnë përfshirjen e emigrantëve shqiptarë në skemën e pensioneve. Edhe pse ka pasur tentativa të përsëritura, në rrugë diplomatike të shtetit shqiptar, përgjigjja e vazhdueshme e marrë ka qenë vetëm refuzimi. Kjo edhe për shkak të kostove të larta, por edhe të ndikimit që ka kriza aktuale ekonomike dhe financiare në të dy vendet.
Naim Balluku, përfaqësuesi i Patronatit INAS-CISL në Tiranë, bën një analizë të detajuar të gjendjes ekonomike në të cilën ndodhen emigrantët në Itali për revistën ekonomike Monitor. Sipas tij, në legjislacionin italian dhe grek, për të përfituar një pension, krahas vjetërsisë kontributive në punë, e cila aktualisht është në proces zgjatjeje, për përfitimin e pensionit nevojiten edhe 20 vite vjetërsie kontributive.
“Duhet të kemi parasysh se emigracioni ynë është i ri dhe janë të rralla ato raste të plotësimit të këtyre kushteve, e kështu rrjedhimisht emigrantët shqiptarë që plotësojnë moshën, privohen nga përfitimi i pensionit. Bazuar në legjislacionin shqiptar për t’u përfshirë në kushtet e pensionit, qoftë dhe të pjesshëm, është e domosdoshme pasja e një vjetërsie kontributive jo më pak se 15 vite. Kjo vjetërsi kontributeve, në të shumtën e rasteve, është e paarritshme, por edhe nëse plotësohet, të ardhurat që përfitohen prej saj janë aq minimale (përfiton një pension rreth 6.000 lekë) sa nuk mund të mjaftojnë për përballimin e jetesës. Ndërsa për të përfituar një pension në Itali e Greqi, është i domosdoshëm plotësimi i një vjetërsie kontributive prej 20 vitesh. Le të marrim në mënyrë hipotetike që një emigrant shqiptar në Shqipëri ka vjetërsi pune prej 14 vitesh dhe në Itali 19 vite, pra gjithsej 33 vite. Ky person nuk përfiton pension si në Shqipëri dhe në Itali”, thotë Balluku për Monitor.
Kriza ekonomike e pranishme në Europë dhe mjaft e thellë në Greqi e në njëfarë mase edhe në Itali, ka bërë që një pjesë e mirë e emigrantëve shqiptarë të humbasin vendet e punës. Këtë e tregon fakti se ndërsa niveli i papunësisë në Itali është aktualisht 12,8%, niveli i papunësisë për emigrantët shqiptarë është mbi 15,5%. Në Greqi, niveli i papunësisë është më i lartë se në Itali, madje më i larti në Evropë dhe kap një nivel prej 27,9%.
Dy dekada emigracion shqiptar
“Emigracioni shqiptar është relativisht shumë më i ri se ai i vendeve të tjera jokomunitare të Europës. Ai nisi pas viteve ‘90, fillimisht në mënyrë spontane dhe më vonë më i organizuar. Ashtu sikurse dihet, me mbylljen e ndërmarrjeve shtetërore pas vitit 1990, të cilat nuk i rezistonin kohës, një numër i madh punonjësish dolën të papunë. Po kështu u shpërbënë ish-kooperativat bujqësore dhe ish-ndërmarrjet bujqësore. Numri i banorëve në fshat përbënte rreth 64% të popullsisë. Në këto kushte, kjo popullsi mbeti edhe pa ato të ardhura tepër minimale për të përballuar jetesën. “Në këtë mënyrë, emigracioni ishte një valvul, që shërbeu për të amortizuar në mënyrë të ndjeshme problemet e mëdha social-ekonomike të vendit. Aktualisht emigracioni shqiptar është sa 1/3 e popullsisë së regjistruar në Regjistrin Kombëtar, peshën kryesore e zënë emigrantët në vendet fqinje, Greqi dhe Itali. Por, një pjesë e mirë e tyre ka punuar në Shqipëri, duke poseduar një vjetërsi pune kontributive në ish-ndërmarrjet shtetërore apo kooperativat bujqësore. Në kushtet e këtij emigracioni, tepër të madh krahasuar me popullsinë, vjetërsia kontributive e tyre është e ndarë në dy pjesë; vjetërsi kontributive në Shqipëri dhe vjetërsi kontributive në shtetin ku janë rezidentë. Në situatën e sotme ku numri i emigranteve është shumë i madh (në Greqi dhe në Itali) dhe ende nuk ka një marrëveshje dypalëshe për njohjen respektive të vjetërsie kontributive mes Shqipërisë dhe këtyre dy vendeve, emigrantët shqiptarë ndihen të diskriminuar nga legjislacionet respektive shqiptare dhe të vendeve ku punojnë, ku pjesa më e madhe e tyre, privohen nga përfitimi i pensioneve, duke mbetur pa të ardhura jetese, kur plotësojnë moshën për pension”, shpjegon Balluku.
Indentikiti i emigrantit në Itali
Emigrantët shqiptarë në Itali janë sot gjysmë milioni. Naim Balluku rendit karakteristikat themelore social-demografike të këtij komuniteti:
– Shqiptarët përfaqësojnë komunitetin e dytë të qytetarëve jokomunitarë, me qëndrim të rregullt në Itali.
– 54% e qytetarëve me origjinë shqiptare janë burra, ndërsa 46% janë femra.
– Pjesa më e madhe e emigrantëve shqiptarë janë përqendruar në Italinë e Veriut, 61%.
– Kanë një moshë mesatare të re, 30,5 vjeç.
– Rreth 137 mijë (apo mbi 27%) janë nën 18 vjeç.
– Familja paraqitet si motivi kryesor i prezencës në Itali; 53% e qytetarëve shqiptarë janë me leje qëndrimi të rregullt. Lejet e qëndrimit për punë përfaqësojnë 43%.
– Rreth 63% e shqiptarëve në Itali kanë një leje qëndrimi afatgjatë, përqindje kjo 10 pikë më e lartë se ajo e qytetarëve jokomunitarë.
– Komuniteti shqiptar zë vendin e parë për numrin e të punësuarve
– 52% e popullsisë shqiptare, 15 vjeç e lart, është e punësuar, një numër ky më i ulët se ai i regjistruar nga totali i imigrantëve jokomunitarë në Itali.
– Norma e papunësisë është e barabartë me 15,5%, shifër kjo më e lartë qoftë nga ajo e totalit të qytetarëve evropianë, e cila është 12%, por edhe kundrejt vendeve të tjera të Evropës Qendrore e Lindore.
– Dy fushat kryesore të punësimit janë ndërtimi dhe industria që përfshijnë rreth 53,5% të të punësuarve.
– Niveli arsimor është i njëjtë me komunitetet e tjerë për shkollat e nivelit të parë me rreth 46% dhe të shkallës së dytë, 41%. Më e ulët është shkalla në arsimin universitar që zë 5%.
– Më shumë se gjysma e punonjësve shqiptarë ka rrogën më të lartë se 1.000 euro, vlerë më e lartë për qytetarët e tjerë të huaj në Itali.
Emigrantët shqiptarë në Itali dhe e drejta e pensionit
Mungesa e një marrëveshjeje dypalëshe ndërmjet dy vendeve bën që si Italia, ashtu dhe Shqipëria, të zbatojnë legjislacionin respektiv në fushën e sigurimeve shoqërore, bazuar në kontributet e derdhura në secilin vend, por kontributet e derdhura në njërin vend nuk vlejnë në tjetrin nëse në të parin nuk është mbushur minimumi i viteve të punës për të marrë pension. “Në Itali, nga rreth 30 mijë emigrantë shqiptarë të moshës se tretë, vetëm 1,921 persona trajtohen me pensione. Kjo shifër shpjegohet me pamundësinë e përfitimit të pensioneve për arsye të legjislacionit, veçanërisht reformës “Monti”, që privon një pjesë të mirë të emigrantëve shqiptarë, të regjistruar dhe që kanë paguar kontribute para vitit 1996, të cilët krahas moshës duhet të plotësojnë një vjetërsi kontributive prej 20 vitesh. Thënë më thjeshtë, numri i ulët i pensioneve të komunitetit shqiptar në Itali, shpjegohet me faktin e pamundësisë së këtij komuniteti për të kompletuar vjetërsinë prej 20 vitesh, për t’u përfshirë në kushte pensioni”, – thotë z. Balluku.
A ka zgjidhje përballë kësaj situate, që rëndon një pjesë të madhe të shqiptarëve dhe që rrezikon “të shumëzojë me zero” vite të tëra pune? Përfaqësuesi i Patronatit INAS-CISL në Tiranë, Balluku, thotë: “Aktualisht jemi në kushtet kur mijëra bashkatdhetarëve tanë u mohohet përfitimi i pensioneve. Kjo marrëveshje nuk është lidhur pasi në shtetet fqinje ka një numër të madh emigrantësh shqiptarë. Në këtë kontekst, shteteve ku shqiptarët janë të shumtë në numër iu intereson, që të lënë pa pagesa për pension, kjo sidomos në kushtet e krizës dhe të mungesës së reciprocitetit”.
Sipas tij, integrimi i vendit në BE do të krijojë mundësi për bashkimin e periudhave kontributive mes shtetet reciproke. “Për ta shpjeguar më thjeshtë: nëse një emigrant shqiptar që ka një vjetërsi kontributive në Shqipëri prej 10 vitesh dhe në Itali apo Greqi jo më pak se 10 vite, përfshihet në kushte pensioni, si në këto vende ashtu edhe në Shqipëri ku secili shtet do të japë reciprokisht pjesën e tij të pensionit. Sa më shumë të vonohet ky proces, aq më e vështirë, për të mos thënë e pamundur, do të jetë përfitimi i pensioneve nga emigrantët shqiptarë”, thotë z. Balluku.
Lidhur me marrëveshjet dypalëshe, Balluku vlerëson lidhjen e marrëveshjes me Belgjikën, pasi shënon një hap pozitiv me një vend të BE-së. “Nga institucionet shtetërore, shoqërore dhe organizma të tjera llogariten vetëm përfitimet nga anëtarësimi në BE, por nuk llogariten dëmet ekonomiko-sociale që iu krijohen emigrantëve nga kohëzgjatja e këtij anëtarësimi, duke i privuar nga e drejta për përfitimin e pensionit, pra të bazës së jetesës së tyre. Jemi tepër të vonuar, sepse emigrantët kanë nevojë për mbështetje. Nuk bëhet fjalë për luks, por për mbijetesë”, – thotë ai.
Pasojat e krizës
Padyshim, pasojat e krizës ekonomike dhe të papunësisë kanë një kosto jo të lehtë për emigrantët tanë. Në kushtet e një krize ekonomike në të gjithë sektorë, më të prekurit janë ata. Disa prej këtyre pasojave mund të jenë mund të jenë:
1. Humbja e vendeve të punës që përkeqëson së tepërmi problemet sociale dhe bën të pamundur jetesën.
2. Pamundësia për të mbijetuar çon në detyrimin për t’u kthyer në Shqipëri, ku vihen përballë vështirësive të mëdha. Në këto kushte tregu i punës në Shqipëri nuk do të arrijë të absorbojë një numër më të madh force pune.
3. Vështirësitë për t’u socializuar, për t’u arsimuar në vendin mëmë.
4. Problemi i strehimit, duke pasur parasysh se një pjesë e mirë e emigrantëve kanë shitur banesat.
5. Papunësia ka pasoja sociale për të sotmen dhe të nesërmen pasi do të vihen përballë vështirësisë për të plotësuar vjetërsinë në punë, që kërkohet për të përfituar pension.
Lexo artikullin të plotë në Revistën Monitor: Të përjashtuarit e pensioneve
Lexo edhe: Pensioni i emigrantit dhe sigurimi vullnetar pranë ISSh-së