Hartimi i teksteve mësimore për fëmijët e bashkatdhetarëve në diasporë është një detyrë atdhetare, arsimore e pedagogjike, por edhe e vështirë. Ja dy libra të dobishëm për këta fëmijë, “Abetare e posaçme”, dhe “Fjalë pas fjale”
Nga Prof. Murat Gecaj, Tiranë
Tiranë, 2 shkurt 2012 – Është e njohur tashmë që emigrantët shqiparë, si në të kaluarën e largët, por dhe në atë më të afërt, kanë shkuar në shtete të ndryshme të botës. Motivi i tyre kryesor ka qenë për të siguruar një jetë më të mirë, si për veten dhe familjet e tyre. Mirëpo, krahas plotësimit të kësaj kërkese, në rrugë e forma të ndryshme, atje janë përballur me probleme të shumta jetësore. Një ndër më të mprehtit ka qenë, dje dhe është sot, shkollimi i fëmijëve të emigrantëve në gjuhën amtare. Sepse, sado gjuhë të rëndësishme të botës të përvetësojnë ata, përsëri shqipja amtare mbetet për të gjithë fëmijët shqiptarë ndër më të rëndësishmet e më të dashurat. Kjo sepse ajo i mban të lidhur e më të pashkëputur me vendlindjen e prindërve, me traditat e zakonet e çmuara të të parëve të tyre.
Prandaj, kujdesi i arsimtarëve dhe i pedagogëve shqiptarë është përqendruar në hartimin e abetareve dhe teksteve të tjerë sa më të përshtshëm për fëmijët, që ata ta mësojnë dhe ta përvetësojnë albabetin e gjuhës shqipe, të shkruajnë mirë dhe të marrin njohuritë e para për gjuhën e letërsinë, historinë e gjeografinë, muzikën dhe arutet figurative shqiptare.
***
Pikërisht për t’ju njohur me disa përpjekje të tyre, me kolegen e Radio-Tiranës, Kozeta Hoxha, ishim këto ditë në shtëpinë e bashkëshortëve, Prof. Shefik Osmani e Urti Osmani, “Mësuese e Popullit”. Kanë një jetë të tërë, që ata ia kanë kushtuar shkollës shqipe dhe arsimit tonë kombëtar. Meqenëse Prof. Shefiku është i rënduar ca nga gjendja shëndetësore, znj. Urti na foli me dashuri e pasion të veçantë edhe për një punë të tyre mjaft të dobishme e shumëvjeçare. Ajo lidhet pikërisht me hartimin e teksteve mësimorë për fëmijët e bashkatdhetarëve tanë në diasporë.
Po kjo detyrë, sa atdhetare, arsimore e pedagogjike, nuk është aq e lehtë. Sepse këto tekste duhet të përshtaten për fëmijë, që mësojnë disa gjuhë të shteteve në Europë, Amerikë, Kanada e në vende të tjera. Sigurisht, është e pamundur të hartohen e botohen tekste të përdorshëm, për të gjithë këta fëmijë. Por kujdesi i këtyre dy pedagogëve ka qenë në shkallën më të lartë, që të tejkalojnë vështirësitë dhe të zgjidhin problemet praktike, që u kanë dalë.
Ja dy tekste, i pari me titullim “Abetare e Posaçme” (për nxënësit shqiptarë jashtë Republikës së Shqipërisë), Tiranë 2011. Është hartuar me përkushtim nga Urti Osmani, pedagoge dhe studiuese e njohur e arsimit tonë. Ndërsa redaktimin shkencor e ka bërë Prof. Shefik Osmani dhe recensentë janë Hazbi Lalinca (Suedi) e Mahir Mustafa (Zvicër). Autorja na tregoi se vëmendja e saj, për këtë tekst me vlera praktike, është përqendruar në disas tinguj të gjuhës shqipe, të cilët paraqesin vështirësi për shqiptimin nga fëmijët e emigrantëve shqiptarë.
Në fillim janë paraqitur shkronjat e alfabetit anglez, suedez e gjerman. Më tej, ajo ka shpjeguar se vëmendja e saj në këtë tekst është përqendruar në disa tinguj të gjuhës shqipe, të cilët paraqesin vështirësi për shqiptimin e fëmijëve të emigrantëve tanë. Në vazhdimësi, autorja ka shpjeguar veçoritë e këtyre tingujve të gjuhës shqipe:
Th, sh, ë, q, dh, zh, gj, rr, ll, nj, c, z, ç, x, zh, y
Me qëllim që nxënësi ynë t’i shqiptojë sa më mirë këta tinguj të shqipes, në vazhdim të librit autorja ka botuar vjershat: “Librat rrinë radhë e radhë” (nga Xhevahir Spahiu), “Dhelpra dhe rrushtë” (nga A.Z.Çajupi) dhe “Gjuha jonë” (nga Gjergj Fishta). Nuk po ndalem konkretisht në vargjet e këtyre vjershave të bukura. Dëshiroj të theksoj se përzgjedhja e tyre ka qenë mjaft e kujdesshme dhe e qëlluar, për konkretizmin e shkronjave (tingujve) të gjuhës sonë.
Më tej, në këtë tekst është botuar “Alfabeti i gjuhës shqipe”, me shkronjat e tij, të mëdha e të vogla të shtypit. Pëbri është dhënë këshilla: “Me këto shkronja, mësoni ta lexoni bukur gjuhën shqipe”. Një faqe më pas janë shënuar shkronjat e vogla të dorës dhe shkronjat e mëdha të dorës. Gjithashtu, aty jepet kjo këshillë: “Me këto shkronja, mësoni ta shkruani bukur gjuhën shqipe”.
Në mbyllje të librit, autorja e njohur e teksteve të gjuhës shqipe për nxënësit shqiptarë në diasporë, Urti Osmani, ka vendosur vjershën e poetit tonë Kombëtar, Naim Frashëri, “Ti, Shqipëri, më jep nder!” Poshtë saj është bërë shënimi “Mësoni”, i cili shoqërohet me këto fjalë, që nguliten fort në mendjen e emigrantit të vogël shqiptar: “Naim Frashëri është një nga poetët më të mëdhenj shqiptarë. Ai është quajtur “bilbili i gjuhës shqipe”. Kur flasim për të, themi: Naimi Ynë”.
Teksti “Abetare e Posaçme” është i shoqëruar me mjaft fotografi e vizatime shprehëse e të bukura dhe me teknikë tipografike të kohës sonë.
Në fund, mendoj se mësuesit e shkollave shqipe në Diasporë, si dhe prindërit e tyre, është e dobishme që ta sigurojnë këtë tekst. Për këtë gjë, mund të lidhen me Shtëpinë Botuese dhe Shtypshkronjën “Mileniumi i Ri”, në Autostradën Tiranë-Durrës, km.26. Kontaktet janë këta: Mob: 00355682064654 / 00355672063702. Ndërsa e-maili është: info[at]mileniumiri.de
***
Me vlera arsimore e didaktike për fëmijët shqiptarë në Diasporë është edhe teksti tjetër, me autorë Prof. Shefik Osmanin e Hazbi Lalincën, “Fjalë pas fjale” (Fjalor me figura), hartuar e botuar për fëmijët shqiptarë jashtë Republikës së Shqipërisë. Redaktorë letrarë janë Ullmar Qvick dhe Elez Neziraj dhe recensent është Murat Koci.
Libri ka “Hyrjen”, nga Prof. Sh. Osmani dhe vijon me emërtimin e pjesëve të trupit të njeriut, ndalet se si quhen pjesëtarët e familjes dhe veshëmbathja. Te “Shtëpia jonë” tregohen emrat e objekteve të ndryshme. Ndërsa te “Natyra”, sigurisht shoqëruar me fotografi, jepen pamje nga Atdheu ynë dhe tregohet se cilat janë emërtimet e objekteve qiellore. Bëhet edhe konkretizimi me emra i fotove të frutave e perimeve dhe ushqimeve të tjera, i ngjyrave të ndryshme dhe i numrave, nga 0 deri në100. Me rëndësi janë edhe emërtimet, që jepen te “Shkolla jonë”, “Disa kafshë e shpendë” dhe për peshqit. Për të ditur se si quhen disa bimë e lule, tregohen emrat e tyre në gjuhën shqipe. Sigurisht, fëmija i emigrantit duhet të dijë edhe emrat e ditëve të javës, të muajve dhe stinëve të vitit, të cilat jepen në vazhdimësi. Këtij qëllimi i shërbejnë “Disa mjete komunikacioni” dhe “Veprimet e ndyshme të njeriut”, për të cilat janë lënë disa faqe, në fundin e këtij libri.
Shtëpia Botuese dhe shtypshkronja e këtij libri të dytë, për fëmijët e prindërve shqiptarë në Disporë, është “Filara”-Tiranë. Numrat e kontaktit janë, e-maili: filarabotime[at]yahoo.com / info[at]filarabotime.com / Cel: 00355682088769/634 dhe Tel: 0035542228871.