Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, dekretoi të hënën emërimin e Adriatik Llallës Prokuror i Përgjithshëm të Shqipërisë. Llalla mban postin e Inspektorit të Përgjithshëm i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive. Reagon FRD: “Procesi ishte antikushtetues, por vlerësojmë integritetin profesional të Llallës”
Presidenti Nishani dekretoi emërimin e zotit Adriatik Llalla Prokuror i Përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë.
Aktualisht, Adriatik Llalla mban postin e kreut të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP).
Në relacionin e tij, lidhur me emërimin e zotit Adriatik Llalla si Prokuror i Përgjithshëm, presidenti Nishani deklaron se “ndërmjet disa kandidaturave, përzgjodha për funksionin e Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llallën, pasi vlerësova eksperiencën e gjatë në strukturat e Prukurorisë, institucion në të cilin ka kryer funksione të ndryshme”. “Vlerësova gjithashtu zgjedhjen e tij konsensuale nga Kuvendi i Shqipërisë në pozicionin e Inspektorit të Përgjithshëm të ILDKP, institucion i cili nga partnerët tanë ndërkombëtarë është vlerësuar si i konsoliduar dhe i pavarur”, thuhet në relacionin e Presidentit Nishani. Kreu i Shtetit, Bujar Nishani, shprehu bindjen se kjo kandidaturë gjen gjithashtu vlerësimin dhe pranimin jo vetëm të faktorit politik, por edhe të opinionit publik.
Kush është Adriatik Llalla
Adriatik Llalla ka kryer studimet e Larta në Universitetin e Tiranës, Fakulteti Drejtësisë, Titulli Jurist. Në vitin 1998 ka filluar karrierën profesionale si Oficer i Policisë Gjyqësore në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lushnje. Më pas u emërua Prokuror në këtë Prokurori detyrë në të cilën punoi nga viti 1999‐2002.
Nga viti 2002‐2003 ka punuar si Prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kavajë.
Në vitin 2003 është emëruar Drejtues i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier detyrë në të cilën ka punuar deri në vitin 2005.
Nga viti 2005‐2008 ka punuar si Zv.Drejtues i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Në vitin 2006 zgjidhet anëtar i Këshillit të Prokurorisë dhe nga viti 2007‐2008 ka qenë Kryetar i Këshillit të Prokurorisë.
Në 2010-tën zgjidhet Kryetar i Rrjetit të Ekspertëve të Integritetit, pjesë e të cilit janë institucionet përgjegjëse për parandalimin e konfliktit të interesave dhe deklarimit të pasurive për shtetet e Europës Jug‐Lindore dhe disa vende të tjera të Europës. Në vitin 2011 ka përfunduar Masterin për “TëDrejtë Penale”, në Fakultetin Juridik të Universitetit të Tiranës.
Adriatik Llalla është zgjedhur Inspektor i Përgjithshëm i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive më 09.10.2008 nga Kuvendi i Shqipërisë, me propozim të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, dekret datë 14.07.2008.
Të hënën, më 3 dhjetor 2012, Presidenti i Shqipërisë e emëron Prokurator të Përgjithshëm në vend të Ina Ramës.
FRD: “Procesi antikushtetues, por vlerësojmë integritetin profesional të Llallës”
Partia Fryma e Re Demokratike e ish presidentit Topi theksoi se qëndrimi i saj ndaj procesit të zëvendësimit të Prokrurorit të Përgjithshëm mbetet i pandryshuar, sipas saj është antikushtetues.
Mbi këtë bazë FRD mirëpret çdo vlerësim të Gjykatës Kushtetuese mbi çështjen e mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm.
Njëherësh Fryma e Re Demokratike vlerëson se në dallim nga procesi dhe debati kushtetues, mirëpret dhe përshëndet kandidaturën e zotit Adriatik Llalla për Prokuror të Përgjithshëm.
“Adriatik Llalla përfaqëson një zyrtar korrekt, person me integritet profesional, drejtues të suksesshëm të ILDKP-së dhe një emër që ka të gjitha potencialet për të vijuar ta mbajë institucionin e akuzës jashtë ndikimeve partiake, si dhe përmes profesionalizmit dhe vullnetit pozitiv, për t’i dhënë dinjitetin e duhur postit të Prokurorit të Përgjithshëm”, thuhet në deklaratë.