in

Flukset. Nis përpilimi i kërkesave

Nga mëngjesi i sotëm (ora 8.00) është e mundur të përgatiten on line kërkesat. Edhe me ndihmën e patronateve dhe shoqatave.
Gara e vërtetë nis të premten, më 7 dhjetor, nga ora 9.00

Romë, 4 dhjetor 2012 – Nga ora 8.00 e mëngjesit të sotëm, 4 dhjetor, është e mundur të përgatiten online kërkesat për të fituar një nga 13.850 kuotat e parashikuara nga dekreti i fundit i flukseve. Janë kryesisht për konvertime lejesh qëndrimi, por edhe 2 mijë kuota për ardhje të reja për punë autonome dhe 100 për punonjës me origjinë italiane nga Amerika e Jugut.

Gjithçka bëhet në internet, përmes faqeve on line të ministrisë së Brendshme http://nullaostalavoro.interno.it. Fillimisht të interesuarit duhet të regjistrohen, pastaj të hyjnë në sistem me email-in e fjalëkalimin, dhe të përpilojnë formularin që zgjidhet sipas llojit të kërkesës:

Formulari VA për konvertime lejesh qëndrimi për studime, stazh dhe/ose formim profesional në leje qëndrimi për punë të varur;

Formulari VB për konvertime lejesh qëndrimi për punë sezonale në leje qëndrimi për punë të varur;

Formulari Z për konvertime lejesh qëndrimi për studime, stazh dhe/ose formim profesional në leje qëndrimi për punë të pavarur;

Formulari LS për konvertime lejesh qëndrimi BE për qëndrues afatgjatë të lëshuara nga vende të tjera europiane në leje qëndrimi për punë të varur;

Formulari LS1 për kërkesa autorizimesh për punë shtëpiake për të huaj titullarë lejesh qëndrimi BE për qëndrues afatgjatë të lëshuara nga vende të tjera europiane;

Formulari LS2 për konvertime lejesh qëndrimi BE për qëndrues afatgjatë të lëshuara nga vende të tjera europiane në leje qëndrimi për punë të pavarur;

Formulari A për kërkesa autorizimesh për bashkëpunëtorë familjarë me origjinë italiane rezidentë në Argjentinë, Uruguaj, Venezuelë dhe Brazil;

Formulari B për kërkesa autorizimesh për punë të varur për punonjës me origjinë italiane rezidentë në Argjentinë, Uruguaj, Venezuelë dhe Brazil.

Pas përpilimit, kërkesa duhet ruajtur (duke shtypur butonin ‘Salva’). Ajo duhet të niset vetëm nga ora 9.00 e datës 7 dhjetor, kur do të nisë gara për një kuotë.

Kush nuk është i zoti në kompjuter mund të kërkojë ndihmën falas të shoqatave e patronateve. Por duhet të mbajë parasysh që nëse këto kanë shumë kërkesa për të nisur, ekziston rreziku që të vihet në radhë e të ketë kështu më pak mundësi për të përfituar një kuotë, pasi ato do të lëshohen sipas renditjes kronologjike të mbërritjes së kërkesave.

EP

Adriatik Llalla emërohet prokuror i përgjithshëm

Mbi 100 vjet burg për organizatën kriminale italo-shqiptare