in

Adriatik Llalla emërohet Prokuror i përgjithshëm me vetëm 75 vota. Nuk e voton Topalli

Abstenon opozita, që nuk kundërshton emrin e propozuar nga Presidenti, por procesin që konsideron antikushtetues. Llalla nuk merr as votën e Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli

Tiranë, 8 dhjetor 2012 – Kuvendi miratoi të premten dekretin e Presidentit të Republikës për emërimin e Adriatik Llallës në postin e Prokurorit të Përgjithshëm të Shqipërisë. Dekreti i Presidentit mori 75 votat e shumicës, ndërsa opozita abstenoi. Më herët PS u deklarua se nuk ishte kundër kandidaturës së propozuar nga Kreu i Shtetit, por kundër procesit të ndjekur për zgjedhjen e kryeprokurorit, që sipas saj, ishte antikushtetues.

E papritura e votimit për Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla, ishte padyshim mosvotimi i kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, e vetmja nga deputetët e pranishëm, që nuk mori pjesë në votim. Ndryshe nga të gjithë parlamentarët demokratë, kryetarja, ka bërë gjestin e mospëlqimit për Adriatik Llallën, duke bërë të vlefshme praninë e saj, por siç duket edhe në dokumentin e votimit, ajo ka heshtur me votë. Topalli, – që edhe 11 vjet më parë votoi kundër Theodhori Sollakut, kur demokratët, asokohe në opozitë e votuan atë – nuk ka bërë publike arsyet përse nuk i dha pëlqimin Adriatik Llallës.

Llalla do të drejtojë organin më të lartë të akuzës në vend, pasi drejtoi për katër vjet Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive. Karriera e tij përfshin një eksperiencë 10-vjeçare si prokuror. Mes të tjerash ka qenë dhe zëvendësprokuror i Tiranës, si dhe kryetar i Këshillit të Prokurorisë.

Kosi i Pavarësisë

Shqipëria e gjysmës së parë të shekullit XX me sytë e gjeografëve italianë