in

Agim Sulaj. Valixhja, shtëpia e emigrantit

Piktori dhe karikaturisti i njohur me banim në Rimini ka ekspozuar dhe është vlerësuar jo vetëm në të katër anët e Italisë, por edhe në Greqi, Amerikë, Turqi, Belgjikë Francë, Azerbajxhan, Kinë, Iran, Hungari, Poloni, Bullgari, Luksemburg. E natyrisht, Shqipëri. Në shtator një punim i tij, “Shtëpia e Emigrantit”, është vendosur në Borgo San Giuliano, lagje historike e Riminit, në kuadrin e “Festa de’ Borg” që këtë vit ka për temë emigracionin. Së shpejti do të vendoset në Aeoroportin e Riminit

Agim SulajAjo valixhe e shpuar emigranti e shndërruar në  posterin e filmit Honeymoons të Goran Paskaljkevicit, përmban, veç simbolikës së veprës artistike, edhe një tjetër simbol. Është pikërisht një emigrant autori i saj, Agim Sulaj. Agimi, i cili prej vitesh jeton e punon në Rimini,  është piktor e karikaturist i rafinuar që sot konsiderohet një nga mjeshtrit e grafikës humoristike botërore. Prej vitesh merr pjesë në ekspozitat e kompeticionet më të rëndësishme botërore.

Ka ekspozuar dhe është vlerësuar jo vetëm në të katër anët e Italisë, por edhe në Shqipëri, Greqi, Amerikë, Turqi, Belgjikë Francë, Azerbajxhan, Kinë, Iran, Hungari, Poloni, Bullgari, Luksemburg. Më 18 korrik 2010 merr çmimin e fundit, një nga të shumtë e karrierës deri më sot. Në edicionin e dytë të saj, Grand Prix CartoonSea, që këtë vit kishte për temë ndotjen e ambientit vlerëson me çmim të parë Agim Sulajn. Në shtator një punim i tij, “Shtëpia e Emigrantit”, është vendosur në Borgo San Giuliano, lagje historike e Riminit, në kuadrin e “Festa de’ Borg” që këtë vit ka për temë emigracionin.

immigrationAgimi ka lindur në Tiranë në vitin 1960 por shumë shpejt është vendosur me  familjen në Vlorë. 19 vjeç fiton çmimin e tij të parë në një konkurs satire dhe humorizmi të organizuar nga “Hosteni”. Në vitin 1985 diplomohet në Akademinë e Arteve në Tiranë, dhe gjatë shkollës e më pas, punon te “Hosteni”, e vetmja revistë satirike kohës, për aq satirë që mund të bëhej asokohe. Trajton gjithnjë tema shoqërore, subjektet e para trajtojnë servilizmin, thashethemet etj. Nuk ka qenë e lehtë të bëje satirë në regjim. “Dukuritë që kritikoja – tregon – ishin ato të Shqipërisë, por në diçiturë vija ‘kapitalizmi’. Kur bëja kokën e njeriut si llambë të ndriçuar nga qiriu dhe jo nga energjia elektrike, e kisha fjalën për sistemin tonë të mbetur prapa, por deklaroja se ishte njeriu i mbetur pas, që nuk ndjek hapat e shpejtë të socializmit. Duhet të sajoja gjëra të tilla që punimet e mia të botoheshin…”

Europa
Europa
Ndërkohë në Vlorë jep edhe mësim dhe punon në studion e tij për të cilën flet me dashuri dhe nostalgji. Në vitin 1990 shkon në Ankara të Turqisë me veprën tij “Valixhja e emigrantit” punim i vitit 1989, dhe fiton çmimin special në “Aydin Dogan International Cartoon Competition”. Në vitin 1992 hap një ekspozitë Rimini e në vitin 1993 një tjetër në Brindisi. Por kthehet në Shqipëri edhe pse gjithnjë e më shumë vëren që jashtë vendit, veprat e tij vlerësohen, nuk ‘kalben’ në një sallë galerie ku hynte shiu. Veten e ndien si peshku pa ujë në çastin kur studios i del pronari dhe ia merr. Vetëm atëherë mendon të largohet.

Falë njohjeve që ka në Rimini, vendos të shkojë aty. Fillimisht vetëm e më pas tërheq edhe gruan e djalin e vogël. E që atëherë ka jetuar aty, edhe pse siç thotë vetë “Rimini ka jetë të fjetur artistike”, por është një vend ku ka vendosur kavaletën e vet, dhe prej nga ku shkon në të katër anët e botës me pikturat dhe karikaturat e veta. E merr vlerësimet maksimale kudo. Edhe sot e kësaj dite trajton temat shoqërore në punimet e tij. Padyshim shumë më lirshëm se më parë, por pa rënë kurrë në “karikaturizimin e personit”. Vazhdon të kritikojë dukuritë, jo mbartësit.

Në Rimini jeton me gruan dhe dy djemtë, njëri 18 vjeç e tjetri 3. Në Tiranë ka blerë një galeri ku ekspozon gjithnjë veprat e veta. “Për të mbajtur gjithnjë lidhjet me atdheun, edhe pse në njëfarë mënyre vendi im është ai ku vendos kavaletën, ku jetoj i qetë. Në fund të fundit, njeriu është pak emigrant prej natyre, gjithnjë në lëvizje është”.

L'emigrazione, la storia che continuaBota Shqiptare: Ju keni studiuar për pikturë në Shqipëri, kur keni ndier pasionin për pikturën?
Agim Sulaj: Që në vegjëli. Të gjithë jemi piktorë të vegjël, ka nga ata që e kultivojnë edhe kur rriten e të tjerë jo. Më ka pëlqyer gjithnjë të pikturoj. Jam i lumtur kur pikturoj.
Kam lindur në Tiranë por familja ime është transferuar në Vlorë dhe atje jam rritur. I ri u ktheva sërish në Tiranë për liceun, që e ndoqa natën, e më pas për të ndjekur Akademinë e Artit për pikturë. Më pëlqejnë shumë peizazhet. E ndërsa studioja bashkëpunoja herë pas here edhe me Hostenin, revistën e vetme të humorit dhe të satirës të asaj kohe. Në vitin 1979 kam fituar edhe çmimin special në konkursin e satirës dhe të humorit të organizuar nga kjo revistë.

Ç’do të thoshte të ishe karikaturist në regjim?
Nisa të punoja te Hosteni fillimisht në mënyrë të rastësishme por aty më pëlqyen dhe fillova të punoj rregullisht. Nuk ishte e lehtë të ishe karikaturist në regjim. Dukuritë që kritikoja ishin ato të Shqipërisë, por në diçiturë vija ‘kapitalizmi’. Pasqyroja problemet tona, të Shqipërisë, duke thënë se ishin të vendeve kapitaliste.
Kur bëja kokën e njeriut si llambë të ndriçuar nga qiriu dhe jo nga energjia elektrike, e kisha fjalën për sistemin tonë të mbetur prapa, por deklaroja se ishte njeriu i mbetur pas, që nuk ndjek hapat e shpejtë të socializmit. Duhet të sajoja gjëra të tilla që punimet e mia të botoheshin. Pak a shumë kështu bënim të gjithë sepse Hosteni sapo shtypej shkonte në tavolinën e dikujt të Byrosë që duhej të jepte ok-in përfundimtar. Shpesh qëllonte që drejtorit, Niko Nikollës, i kërkonin llogari për ndonjë gjë që dukej se dilte ‘nga vija e Partisë’. E kanë thirrur edhe për mua ndonjëherë e më ka dalë gjithnjë në krah.

Ç’tema trajtonit? Çfarë frymëzonte punën tuaj?
Çdo mëngjes i yni në punë fillonte me leximin e Bashkimit dhe të Zërit të Popullit. Aty duhet të gjenim frymëzimin, temat që duhet të trajtonim. Por frymëzimin e vërtetë e gjeja në kontrastin që dalloja mes ‘sukseseve të socializmit’ për të cilat flisnin gazetat, dhe fytyrave të zymta të bashkëqytetarëve që shihja në autobusin e linjës që merrja për të shkuar nga puna në shtëpi. Ndaj edhe puna te Hosteni më pëlqente, sepse përveç peizazheve më jepej mundësia të pasqyroja në njëfarë mënyre edhe shpirtin dhe psikologjinë e njerëzve rreth meje. Subjektet e mia të para ishin thashethemet, servilizmi, dukuri apo vese të jetës së përditshme.
Në përgjithësi, kam trajtuar dhe trajtoj tema shoqërore, mundohem të gjej fillin filozofik të dukurive dhe jo të karikaturizoj persona në veçanti.

Probleme me regjimin?
Gjatë shkollës së lartë rrezikova keq. Sot ndoshta është e pakuptueshme por  në Shqipërinë e asaj kohe edhe të qeshje nuk ishte shumë e këshillueshme. Duhet të dije ta bëje, kur ta bëje dhe sa ta bëje. Për më tepër nuk shkoja mirë në lëndën e ekonomisë marksiste-leniniste. Kështu që në një moment dikush mendoi që duheshin marrë masa për ‘formimin tim politik’ ndaj u vendos se kisha nevojë të punoja ‘në gjirin e  klasës punëtore’, se duhet të shkoja të punoja një vit në kriporen e Vlorës. Më shpëtoi drejtori i Hostenit që më doli në mbrojtje dhe u bë garant se ‘do të më brumoste ai me marksizëm-leninizmin’. Dhe kështu për një vit lashë në mes akademinë dhe çdo mëngjes shkoja punoja në redaksinë e revistës.

Kur vendosët të largoheshit nga Shqipëria?
Në vitin 1990, përpara ngjarjeve të ambasadave, isha në Turqi me punimin tim, “Valixhja e emigrantit”. Më kujtohen peripecitë për të marrë pak valutë me vete: ca dollarë që arrita të mbledh i futa të çorapet… Atje puna ime u vlerësua edhe me çmim. Më mbajtën në pëllëmbë të dorës e kjo më hapi sytë. Kishim qenë gjithnjë të mbyllur aq sa edhe nuk ia dinim vlerën punës sonë.
Por megjithatë u ktheva në atdhe. Më pas hap një ekspozitë në Rimini dhe një tjetër në Brindisi. Falë një fotografi që njoha në Vlorë, Flavio Marchetti, të cilit i pëlqyen punimet e mia. Ai i mori dhe më organizoi më pas ekspozitat në Itali.
Por gjithnjë u ktheva në Vlorë ku jepja pikturë e kisha atelierin tim. Mbeta si peshku pa ujë kur ndërtesës i doli pronari që me të drejtë e mori. Shqipëria kalonte një periudhë të vështirë kështu që mora vendimin të largohesha. Kështu erdha në Rimini. Fillimisht vetëm, më pas mora edhe gruan e djalin e vogël.

Lo stranieroPse pikërisht në Rimini?
Sepse aty kisha njohje e ngrohtësi. Munda të gjej menjëherë një apartament. Rimini mund të jetë qytet turistik në verë, por, përsa i përket artit, është qytet i fjetur. E megjithatë, më ka dhënë shumë: mundësinë për të punuar i qetë. E kam si bazë, nga aty shëtis tërë Italinë e tërë botën me veprat e mia, në konkurse e ekspozita.

Si ju ka ndihmuar në profesionin tuaj Rimini apo Italia, në përgjithësi?
Kam pasur fatin që kam takuar njerëz të mirë e që e duan artin. Një nga takimet e para më të rëndësishme për karrierën time ka qenë ai me pronarin e galerisë Forni të Bolonjës që më tha: “Nuk më intereson nga vjen, më intereson ajo që bën dhe të të jap një emër”. Më kërkoi disa punime për një ekspozitë dhe mbeta i habitur kur pashë pikturat e mia të ekspozuara krah veprave të artistëve të mëdhenj si De Chirico Giacometti Baldus…
Së fundi komuna e Riminit më kërkoi një vepër për Festa de’ Borg që u zhvilluar më 4 dhe 5 shtator dhe u përzgjodh “Shtëpia e Emigrantit” që u vendos në Borgun San Giuliano. Pas festës “Shtëpia e Emigrantit” po vendoset në aeroportin e Riminit, në një nga sallat e pritjes, ndoshta.
Unë profesionin nuk e kam marrë këtu, në Shqipëri. I jam falë tokës sime, piktorëve tanë për atë që di. Por padyshim me kohë arti im është rafinuar, është rritur estetikisht dhe artistikisht.

honeymoonShpesh keni emigracionin në qendër, ndiheni akoma emigrant, mes dy botëve?
Jemi në një tokë që nuk është e jona. Natyrisht këtu më mungojnë disa pika referimi të Shqipërisë, më mungon qyteti im, zhurma dhe aroma e detit. Por nga ana tjetër, këtu po rrisim fëmijët. Në fund të fundit, toka ime është ajo ku vendos kavaletën. Ndaj Rimini është edhe qyteti im.
Në njëfarë mënyre njeriu është emigrant prej natyre. Është gjithnjë në lëvizje. Besoj se ndihet njësoj si unë në Rimini, edhe dikush që shkon nga Vlora të jetojë në Tiranë. ‘Shtëpia e emigrantit’ është qoftë e imja, qoftë e vlonjatit të Tiranës. Nuk besoj se ka ndonjë ndryshim të madh.

Keni hasur ndonjëherë racizëm?
Kam pasur fat që jam njohur me njerëz me kulturë e mendjehapur. Nuk kam ndier ndonjëherë racizmin në mënyrë të drejtpërdrejtë. E di që ndonjë bashkatdhetar që kërkon punë në ndërtim ndeshet shpesh me racizmin. Është injoranca që të fyen, të lëndon, që tregohet raciste me ty.  

E politika italiane ndaj të huajve?
Për mendimin tim bën një hap para e dy hapa pas. Është gjithnjë një hap mbrapa shoqërisë. Në Gjermani e në Francë, për shembull, duket se emigrantët janë shumë më të emancipuar se këtu. Jo sepse janë më të mirë apo më të aftë se të huajt që jetojnë në Itali, por sepse politika është e tillë që i bën të ndihen të dobishëm për shoqërinë.
Mendo, unë kam 16 vjet që jetoj këtu, akoma nuk kam marrë shtetësinë. As im bir 18 vjeçar nuk e ka marrë edhe pse këtu ka ardhur që ishte foshnje. Këtu ka shumë burokraci që të merr energji e kohë, të pengon të shkosh përpara.

Ç’mendoni për Shqipërinë sot?
Nostalgji. Shkoj në Vlorë e nuk gjej më qytetin tim, nuk gjej më poezinë e njëherë e një kohe. Betonizimi i shpejtë i ka marrë romanticizmin Vlorës, nuk sheh më detin. Nga dritaret e një pallati sheh pallatin tjetër. Kam një galeri në Tiranë ku ekspozoj veprat e mia sepse dua të mbaj një këmbë në Shqipëri.
Jam i bindur që Shqipëria do të ndryshojë për mirë me liberalizimin e vizave, do të hapet mendërisht, gjë që do ta ndihmojë të shkojë përpara edhe në fushën e artit.

Keti Biçoku, Bota shqiptare 243

Seconde generazioni: “Berlusconi, non siamo immigrati!”

Sentencat nuk duhet të bazohen në paragjykime