Agjencitë italiane të lajmeve, nga dje kanë nisur të ndjekin zhvillimin e situatës në Shqipëri. Sot vënë në dukje jo vetëm trazirat e protestat që po shoqërojnë procesin pas zgjedhor por edhe faktin e anulimit të vizitës së Barrosos në Tiranë të parashikuar për të premten
“Barroso anulon vizitën, nuk ekzistojnë kushtet. Fule: të përshpejtohet numërimi i votave administrative”” titullon ANSA një nga lajmet e sotme. Sipas agjencisë, vizita e kryetarit të Komisionit evropian Barroso dhe e komisarit për Zgjerimin Fule është shtyrë sepse “faktikisht mungojnë kushtet politike për mbarëvajtjen e misionit, sepse numërimi i votave pas zgjedhjeve të 8 majit ende nuk ka përfunduar, sepse ka pasur përleshje dhe opozita thërret shqiptarët në revoltë popullore. Në këto kushte, “sipas nesh – shpjegon Pia Ahrenkilde, zëdhënëse e Komisionit BE – do të ishte e vështirë të arrihej objektivi, pra të diskutohej e ardhmja evropiane e vendit. Kjo është arsyeja kryesore e anulimit të vizitës, që nuk mund të bëhet në kushtet e nevojshme për mbledhje të frytshme”. Natasha Butler, zëdhënëse e komisarit BE për Zgjerimin, Stefan Fule, është shprehur se “procesi elektoral po kërkon kohë dhe vëmendja është e përqendruar në numërimin e votave. Për këtë arsye kemi vendosur të shtyjmë udhëtimin për një moment tjetër kur situata të normalizohet”.
E njëjta agjenci tregon edhe “për plagosjen e dy policëve të plagosur në Tiranë ku edhe sot ka pasur ndeshje mes deputetëve të opozitës socialiste të mbështetur nga një turmë militantësh dhe forcave të shumta të policisë të rreshtuara përpara selisë së KQZ-së”. “Mbështetësit e opozitës – vazhdon ANSA – kanë nisur protesta në qytete të ndryshme të Shqipërisë duke bllokuar disa akse rrugorekombëtare, nga jugu në veri të Shqipërisë. Dje socialistët kishin ftuar mbështetësit në “revoltë popullore kundër regjimit të Berishës”.
“Përleshje pas votës në Tiranë, Barroso anulon vizitën” titullon edhe ADNkronosqë vë theksin në anulimin e vizitës së kryetarit të Komisionit evropian Barroso për shkak të tensionit të lartë dhe përleshjeve të dy ditëve të fundit. “Situata në Tiranë është veçanërisht e nderë, me përleshje mes mbështetësve të PS-së dhe forcave të policisë – thuhet në shkrim – për shkak se KQZ urdhëroi rinumërimin e votave”.
Të njëjtën frymë ka edhe shkrimi i agjencisë AGI me titull “Tensioni mbetet i lartë, anulohet vizita e Barrosos”. Mes të tjerash AGI thekson që “të mërkurën shkoi në Tiranë nëndrejtori i përgjithshëm i marrëdhënieve të jashtme të BE-së, Stefano Sannino, për të diskutuar me krerët institucionalë në vend mbi situatën e Vendit të Shqiponjave, të cilit nëntorin e shkuar i ishte refuzuar dhënia e statusit të vendit kandidat në BE”. Më pas shpjegon situatën e sotme që ka ardhur “pas vendimit të KQZ-së për modifikimin e procedurave të certifikimit të votës në Tiranë, duke shkuar përpara me rinumërimin e skedave dhe jo me verifikimin e procesverbaleve të KZAZ-ve siç parashikon kodi zgjedhor. Rinumërimi në vazhdim e sipër po përmbys rezultatin që shihte fitimtar Edi Ramën, liderin e PS-së, me 10 vota më shumë se ish ministri Lulzim Basha”. Ndër detajet që jep AGI edhe ato të kampit opozitar sipas të cilit “procesi po manipulohet, në disa kuti po gjenden më shumë fletë nga ç-janë verbalizuar”.
Në fund AGI kujton që sipas një deputeti socialist “kryeministri Berisha ka urdhëruar rihapjen e kutive pasi për dy vjet rresht refuzoi, si të kundërligjshme, rinumërimin e kërkuar nga socialistët, që kontestonin zgjedhjet e përgjithshme”.
Ndërsa në një tjetër lajm, AGI vë theksin në apelin që Edi Rama i bën komunitetin ndërkombëtar dhe presidentit të vendit Topi për mbrojtjen e votës së popullit.