in

Agon Channel Italia. Shkëlqimi (i shkurtër) dhe rënia e një televizioni

Agon Channel Italia nuk transmeton më

 

Nga 13 nëntori, në kanalin 33 të transmetimit digjital tokësor nuk është më Agon Channel. Nuk zgjati as një vit aventura e të parit television italian të “delokalizuar” dhe  “low cost” i themeluar nga sipërmarrësi Francesco Becchetti, prej disa muajsh i përfshirë nga probleme me drejtësinë shqiptare, tashmë i ndaluar në Londër për një urdhërarrest ndërkombëtar pikërisht të Prokurorisë së Tiranës.

Edhe pse i përuruar në Milano me zhurmë të madhe (më 26 nëntor 2014), me të ftuar nderi edhe aktoren e famshme Nicole Kidman, edhe pse mblodhi rreth vetes jo pak emra të mëdhenj italianësh si Simona Ventura, Sabrina Ferilli, Pupo, Antonio Caprarica Luisella Costamagna, Maddalena Coraglia, Roberto D’Agostino etj., shumë shpejt u duk se kanali kishte jo pak probleme. Alessio Vinci, drejtori i lajmeve i Agon Channel Shqipëria, e që në verën e 2014-tës publiçizoi jo pak kanalin e ri italian, as që u duk fare në të; Antonio Caprarica, i marrë si drejtor lajmesh brenda pak javëve dha dorëheqjen; shpejt i dhanë lamtumirën kanalit edhe drejtori i rrjetit Lorenzo Petiziol dhe bashkëthemeluesi i Agon Channel e i Agon Channel Italia, Maurizio Palladino. Më pas pati ankesa edhe nga konkurrentë të programeve: njëri deklaroi se ishte kërcënuar me vdekje, një tjetër se nuk i ishte paguar çmimi i fituar. Për mosrespektim të pagesave u ankua edhe Pupo.

Me sezonin e ri televiziv, nga emrat e mëdhenj të fillimit nuk ngeli thuajse asnjë, kanali transmetonte kryesisht përsëritje të programeve të sezonit të kaluar, e të reja kishte vetëm lajmet të drejtuara nga Giancarlo Padovan. Deri në 13 nëntor kur Agon Channel Italia uli krejtësisht perden.

Lexo edhe:

Ndalohet në Londër Francesco Becchetti, pronari i Agon Channel
Striscia la Notizia për Agon(ia) Channel: Nuk ka paguar as fituesit e emisioneve
Agon Channel nën lupën e Report
Agon Channel. Drejtori i lajmeve Caprarica jep dorëheqjen
Nicole Kidman, në përurimin e kanalit Agon Channel Italia
La TV albanese Agon Channel sbarca in Italia
Agon Channel. Mbërrin në Itali televizioni low cost i bërë në Shqipëri

 

 

 

 

 

Çeku i komunave për nënat e reja. Karta e qëndrimit nuk nevojitet

Përse Franca?