Mendohet se Sabaudin Bregu është vrarë natën e të enjtes. Nga shqyrtimet e para doli se në trup ai kishte 15 goditje thike, dhjetë në shpinë, tre në kraharor dhe dy në qafë. Specialistët bëjnë të ditur se ka shumë mundësi që shqiptari të njihte vrasësin apo vrasësit sepse trupi nuk ka shenja vetëmbrojtjeje. Fillimisht forcat e rendit, kanë marrë në pyetje disa banorë të zonës ku është gjetur trupi, të njohur dhe të afërm të viktimës. Më pas kanë kryer disa kontrolle në disa banesa, edhe të disa emigrantëve shqiptarë. Me sa dihet po ndiqen disa drejtime në hetimet e koordinuara nga prokurori Fabrizio Gaverini.
Sabaudin Bregu jetonte prej më shumë se tre vjetësh në Villa di Serio bashkë me të shoqen 23 vjeçare dhe një vajzë katër vjeç. Kohët e fundit ai kishte mbetur pa punë. Ata që njihnin flasin për çift shumë të lidhur e që gjithë energjitë i kishte përqendruar në rritjen e fëmijës.