Petro Hasanaj, rezident me familjen në Jesolo të Venecias, ka humbur jetën mëngjesin e sotëm, kur për arsye ende të panjohura ka humbur kontrollin e makinës që ngiste. Në spital, e shoqja, vajza dhe djali, që udhëtonin me të
Romë, 12 janar 2013 – Një shqiptar 42 vjeç ka humbur jetën në një aksident të rëndë rrugor në autostradën A14. Viktima quhet Petro Hasanaj, ishte 42 vjeç dhe jetonte me familjen në Jesolo të Venecias.
Sot në mëngjes, rreth orës 4.30, ngiste makinën e tij Opel Astra, në të cilën udhëtonin edhe e shoqja, 33 vjeçe, i biri 13 vjeç dhe e bija 10. Për shkaqe ende të panjohura, në A14 mes Faenzës dhe Ravennas, Hasanaj ka humbur kontrollin e makinës e kjo e fundit pasi është përplasur me guard-rail-in ka përfunduar e përmbysur në kanalin anash brezit rrugor që shkon drejt veriut.
Sipas policisë rrugore dhe mjekëve që kanë ndërhyrë n vendngjarje, Petro Hasanaj ka vdekur menjëherë ndërsa tre familjarët e tij janë shtruar në spital, në gjendje të rëndë por asnjë prej tyre nuk rrezikon jetën. Ndërsa gruaja dhe e bija janë në spitalin e Imolës, djali, që është i plagosuri më rëndë, është transferuar nga Imola në spitalin “Maggiore” të bolonjës.