in

Gjykatësi kushtetues: “Ndalimi i të drejtës së votës emigrantëve është antikushtetues”

Sipas ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Fehmi Abdiu, duhet t’u sigurohet mundësia e ushtrimit të të drejtës kushtetuese të votës emigrantëve shqiptarë, para se të diskutohet për njohje të shtetësisë personave me prejardhje shqiptare të lindur jashtë Shqipërisë, gjë që nuk behet me vendim të këshillit të ministrave, por me ndërhyrje ligjore që kërkon 3/5 e votave të parlamentit

Tiranë, 13 janar 2013 – Vetëm pak ditë më parë, në mbledhjen e qeverisë së 9 janarit, Kryeministri Berisha, në valën e patriotizmit që e ka zënë që me festimet e 100-vjetorit, ka deklaruar: “Me vendim qeverie, bazuar në ligjin nr. 8389, datë 5.8.1998, i ndryshuar, Për shtetësinë, neni 9 pika 7, për interesa kombëtare, shtetësia shqiptare do t’u jepet sipas dëshirës së tyre, me aplikim, të gjithë qytetarëve me origjinë ose kombësi shqiptare, me dokumente të rregullta në vendet e zonës Shengen, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vende të tjetra me lëvizje të lirë pa viza në zonën Shengen”. Dhe për të treguar që nuk e bën  për motive elektorale ka shtuar se “duke qenë se Shqipëria është para zgjedhjeve dhe listat dhe infrastruktura zgjedhore për vitin 2013 tashmë janë të përfunduara, e drejta e votës për këta qytetarë do të hyjë në fuqi pas amendimit konsensual të Kodit Zgjedhor për zgjedhjet e tjera, pas qershorit 2013”.

Nuk është fort e qartë për kë e ka fjalën Berisha, as se si mund të ndërhyjë në këtë ligj të rëndësishëm të një vendi me një vendim të thjeshtë qeverie, as se në ç’bazë ligjore do të bazojë më tej heqjen përkohësisht për këta qytetarë të rinj shqiptarë të drejtën e votës.

Sqaron këto dyshime ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Fehmi Abdiu, në një intervistë dhënë gazetës Shqip. Sipas tij, është e papranueshme nga pikëpamja kushtetuese dhënia e shtetësisë shqiptare pa ndërhyrje në ligjin organik “Për shtetësinë”, sepse një VKM (vendim i këshillit të ministrave) nuk mund të zëvendësojë një ligj, i cili për t’u miratuar kërkon tre të pestat e votave në Kuvend. “Edhe pse nuk e njoh tekstualisht këtë vendim që pritet të merret, unë me siguri mund të them, që së pari nuk mund të mendohet, as të diskutohet dhe as të vendoset që të jepet shtetësia shqiptare me VKM. E them këtë, sepse ligjërisht ky është një problem shumë i rëndësishëm kushtetues që lidhet drejtpërdrejt me ligjet kushtetuese dhe veçanërisht me atë “Për shtetësinë”. Ky është një nga ligjet më të rëndësishme në vend. – thotë ai në intervistë – Së dyti, dhe nëse Kryeministri mendon dhe ka dëshirë, siç mund të kenë shumë shqiptarë, ta bëjë një gjë të tillë, ky problem mund të zgjidhet vetëm përmes amendimit të ligjit “Për shtetësinë”. Mirëpo në këtë drejtim, dëshirat e mëdha të Kryeministrit, nuk mund të realizohen kollaj, sepse për këtë ligj kërkohet ajo që kërkohet për çdo ligj organik apo për Kodet, që të votojnë tre të pestat e numrit të deputetëve të Kuvendit. Sipas nenit 81 të Kushtetutës, ligji “Për shtetësinë” bën pjesë në ato ligje që duhet të miratohen me tre të pestat e anëtarëve të Kuvendit të Shqipërisë”.

Abdiu shpjegon gjithashtu edhe pasojat e një nisme të tillë (sikur të mund të bëhej):  pas çastit të marrjes së shtetësisë asnjë shtetasi nuk mund t’i ndalohet më e drejta e votës. “Shtetësia është e lidhur edhe me të drejtën që kanë shtetasit shqiptarë në zgjedhje: të zgjedhin dhe të zgjidhen.  Kështu që, sikur ligji të ndryshohet me konsensus të gjerë, problemi i parë që do të lindë do të ketë të bëjë me zgjedhjet, sepse mendoj se është e pamundur që atyre t’u mohohet drejta e zgjedhjes. Me pak fjalë, nëse nga sot deri në zgjedhje do të ketë qytetarë të rinj shqiptarë, ata do të fitojnë automatikisht të drejtën për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur”.

Dhe në këtë aspekt gjykatësi kushtetues thekson se qeveria shqiptare në vend që të kërkojë të përfshijë në votime sa më shumë shqiptarë “të rinj” që jetojnë dhe jashtë, duhet të sigurojë fillimisht votën për emigrantët shqiptarë, si një e drejtë kushtetuese e tyre. “Ne shqiptarët akoma nuk kemi zgjidhur një problem tjetër të më rëndësishëm sesa ky që pretendon Kryeministri. – Sqaron Abdiu – Ne akoma u mohojmë shtetasve shqiptarë që janë jashtë Shqipërisë të drejtën e votës. Janë qindra mijëra emigrantë që jetojnë të larguar nga Shqipëria, dhe që në kundërshtim me kushtetutën e Shqipërisë, deri tani që flasim, nuk marrin pjesë në votime. Do të ishte më e drejtë, që përpara se të flasim për t’u dhënë shtetësinë shqiptarëve që jetojnë jashtë dhe që asnjë njëherë nuk kanë qenë subjekt i kësaj të drejte në Shqipëri, të flasim për ata që aktualisht këtë të drejtë ua garanton Kushtetuta shqiptare. Politika shqiptare duhet të përcaktojë rrugët, format dhe mënyrat sesi duhet të votojnë ata, të cilat janë shumë të thjeshta, të zgjidhshme dhe pa probleme”.

Gjykatësi e mbyll intervistën e tij duke thënë: “Politika dhe politikanët mundet të rregullojnë këtë mangësi të madhe kushtetuese që ka legjislacioni zgjedhor lidhur me këtë fakt, përpara se të pretendetojmë për t’u dhënë shtetësinë shqiptarëve të tjerë”. K.B.

Lexo intervistën të plotë në gazetën Shqip Abdiu: Shtetësia, jo më vendim, por me ligj që kërkon 3/5-at

 

Aksident i rëndë rrugor në A14. Vdes 42-vjeçari, plagosen e shoqja dhe dy fëmijët

Giornata mondiale del migrante: “Siamo tutti stranieri”