Vladimir Kulli bie nga çatia gjatë turnit të punës, ndodhet në gjendje të rëndë në spital
Romë, 18 prill 2011 – 32 vjeçari shqiptar Vladimir Kulli ndodhet i shtruar në gjendje shumë të rëndë në repartin e rianimacionit në Spitalin Ca ‘Foncello të Trevizos pas një aksidenti në punë. Mëngjesin e ditës së diel ai po punonte në Vittorio Veneto të Trevizos për heqjen e mbulesës me eternit nga kapanoni i një pularie. Pak minuta përpara se të mbaronte turnin e punës, për arsye që ende nuk dihen, ai kë rënë nga çatia, e lartë rreth 6 metra, dhe ka përplasur kokën. Është transferuar menjëherë me helikopter dhe është operuar me urgjencë. Mjekët deklarojnë se ka qenë një mrekulli që punëtori ka shpëtuar gjallë.
Tani po bëhen verifikimet nëse janë respektuar normat e sigurisë. Përpara së gjithash nëse Vladimit Kulli ishte apo jo i pajisur me kaskë, gjë që do ta kishte shpëtuar pjesërisht nga një përplasje aq e fortë në kokë. Gjithashtu po verifikohet pse ai ishte në punë ditën e djelë, sipas karabinierëve nuk parashikoheshin orë pune jashtë orarit nga ndërmarrja që po kryente heqjen e mbulesave prej eterniti nga kapanonet në Colle Umberto.