Një foshnje shqiptare ka përfundur në spital në gjendje të rëndë për lëndimet në kokë të marra në një aksident rrugor. Asnjë problem për të vëllanë, i ulur në ndenjësen e posaçme për të vegjëlit, dhe trauma të lehta cervikale për prindërit
Romë, 20 gusht 2012 – Në një aksident rrugor ku tre makina janë përplasur njëra pas tjetrës ka mbetur i plagosur më rëndë nga të gjithë një foshnjë dy muajsh i një familjeje shqiptare. Udhëtonte me prindërit e të vëllanë dyvjeçar në autostradën mes Verona Sud dhe Sommacampagna, kur makina e tyre është përfshirë në një tamponim zinxhir.
Djali më i vogël i çiftit, që me sa duket nuk ishte në ndenjësen e posaçme për të vegjëlit por në krahë të të ëmës, gjatë përplasjes, është lënduar rëndë në kokë dhe është shtruar në repartin e Neurologjisë të spitalit të Borgo Trentos. Pa asnjë problem,vëllai që ishte i ulur dhe i lidhur rregullish në ndenjësen e tij, ndërsa prindërit kanë marrë trauma të lehta cervikale.