Humb jetën në spital Olta Koni. Në gjendje të rëndë edhe e bija 3-vjeçare
Romë, 24 janar 2012 – Ka ndërruar jetë në spital Olta Koni, nëna 27 vjeç e shtypur bashkë me vajzat e saj të vogla në Santa Croce sull’Arno më 19 janar. Gruaja ishte shtruar në CTO (qendrën traumatologjike ortopedike) të spitalit Careggi të Firences por pas disa ditëve agoni ka ndërruar jetë.
Olta jetonte me të shoqin dhe dy vajzat e vogla në Santa Croce prej qershorit të shkuar, më parë kishin jetuar në Chianni. I shoqi punon në një ndërmarrje lëkure ndërsa Olta mbante vajzat.
Ka qenë duke shoqëruar ato në kopsht e në shkollë edhe paraditen e 19 janarit kur i ka shtypur që të treja një Fiat Punto. Vajza e madhe, 8 vjeç që shkon në klasë të tretë fillore, tani ka një këmbë të thyer por nuk rrezikon jetën. Vajza e vogël, 3 vjeç, e shtruar në spitalin Meyer,është në gjendje të rëndë shëndetësore.
Shoferi i Fiat Puntos që ka shtypur nënën me du vajzat është nën hetim për vrasje nga pakujdesia.