Forcat e Armatosura vendosën në dispozicion të gjitha strukturat dhe mjetet e saj, duke dhënë ndihmën e parë në vendin e ngjarjes dhe duke kryer transportin e të plagosurve nga spitali i Himarës drejt Spitalit Ushtarak në Tiranë, i cili është angazhuar me kapacitete të plota për dhënien e ndihmës mjekësore për të plagosurit në këtë aksident
Forcat e Armatosura të Shqipërisë janë angazhuar përkrah strukturave të tjera shtetërore për të përballuar situatën e rëndë të krijuar nga aksidenti tragjik që ndodhi në afërsi të Himarës pranë Urës së Vishës, ku është rrëzuar një autobus që transportonte studentë të universitetit “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan, të cilët po kryenin një ekspeditë mësimore në këtë zonë.
Forcat e Armatosura vendosën në dispozicion të gjitha strukturat dhe mjetet e saj, duke dhënë ndihmën e parë në vendin e ngjarjes dhe duke kryer transportin e të plagosurve nga spitali i Himarës drejt Spitalit Ushtarak në Tiranë, i cili është angazhuar me kapacitete të plota për dhënien e ndihmës mjekësore për të plagosurit në këtë aksident.
Në orën 16:35 zv.shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneral brigade Sandër Lleshi, mblodhi drejtuesit kryesor të drejtorive të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm dhe caktoi një sërë detyrash me qellim që strukturat e Forcave të Armatosura të vihen të gjitha në dispozicion për t’u ardhur në ndihmë të të dëmtuarve nga aksidenti i rëndë.
Prioritet kryesor iu dha Forcave Ajrore, të cilat dërguan menjëherë drejt vendit të ngjarjes 3 helikopterë të Bazës Ajrore të Farkës. Gjithashtu Spitali Qendror Ushtarak mori detyrën për vënien në gatishmëri të të gjitha sallave dhe ambienteve të tjera, për të përballuar situatën.
Në të njëjtën kohë Komanda e Forcës Tokësore ka vënë në dispozicion dy grupe me nga 16 forca speciale dhe personel mjekësor secili; Komanda e Doktrinës dhe Stërvitjes ka vënë në dispozicion 40 forca, 2 autoambulanca dhe një mjet transporti; Komanda e Forcave Detare 12 forca dhe 4 mjete transporti; Brigada e Mbështetjes Rajonale 6 forca, 1 mjet transporti dhe një zjarrfikëse; Brigada Logjistike 8 forca, nga të cilët 6 personel mjeksor, 1 mjet transporti dhe 1 mjet zjarrfikëse; Regjimenti i Mbështetjes 6 forca dhe 2 mjete transporti; Qendra e Ndërlidhjes 7 forca dhe 1 ambulancë; Policia Ushtarake ka vënë në dispozicion 57 forca dhe 5 mjete transporti.
Gjithsej Forcat e Armatosura kanë angazhuar në operacionin në ndihmë të aksidentuarve nga aksidenti i Himarës 158 forca, 3 ambulanca, 15 mjete transporti dhe 3 helikopterë. Deri më tani helikopterët e Forcave të Armatosura kanë transportuar në Spitalin Ushtarak 6 studentë të plagosur rëndë nga Himara për në Spitalin Ushtarak, ndërsa vazhdon operacioni për transportimin e të dëmtuarve të tjerë nga vendi i ngjarjes në drejtim të Spitalit Ushtarak.
Të parët që shkuan në ndihmë të të dëmtuarve në vendin e ngjarjes ishin punonjësit e Shtëpisë së Pushimit të Ushtarakëve në Jalë, si dhe efektivë të Bazës Ushtarake të Porto-Paleromos. Gjithashtu në ndihmë të të aksidentuarve shkuan 10 kursantë dhe 6 infermierë të Brigadës së Stërvitjes në Bunavi të Vlorës, si dhe 3 oficerë, 7 nënoficerë dhe 1 ambulancë nga Flotilja e Jugut e Forcave Detare.
Aktualisht në Spitalin Ushtarak janë paraqitur për të dhënë gjak mbi 250 forca nga të gjitha strukturat e FA, nga të cilët deri më tani kanë dhuruar mbi 60 prej tyre. Ndërkaq vazhdon dhurimi i gjakut nga efektiva të tjerë të FA-së, përfshirë dhe punonjës të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm të FA-së. (ATSh)