in

Aleksandër Gashi: “Muzika është shpresë, jo vetëm komunikim i shpejtë”

Pianisti e kompozitori i shquar prej mëse 20 vjetëve në Romë, është i pari shqiptar të cilit 12 vjet më parë i është njohur shtetësia italiane për Merita Artistike me motivimin “Mjeshtri Aleksandër Gashi përfaqëson një pasuri të madhe njerëzore dhe artistike për Italinë”
Nga Albana Temali

Ishte 2001 kur me një dekret të posaçëm të presidentit të atëhershëm të Republikës italiane Carlo Azeglio Ciampi dhe të kryeministrit Silvio Berlusconi, pianistit dhe kompozitorit shqiptar, Aleksandër Gashi iu akordua qytetaria italiane për Merita Artistike. Mjafton të lexohet motivimi: “Il maestro Aleksander Gashi rappresenta un alto patrimonio umano e artistico nel nostro paese” (në gjuhën shqipe: “Mjeshtri Aleksandër Gashi përfaqëson një pasuri të madhe njerëzore dhe artistike për vendin tonë”) për të krijuar një ide për personalitetin e artistit, por edhe një interes për të njohur historinë e tij të integrimit në Itali. Duke iu referuar burimeve të ndryshme, qoftë mediave tradicionale qoftë atyre elektronike, kuptojmë që koha jo vetëm e ka justifikuar plotësisht atë dhënie të veçantë shtetësie për merita artistike, por i ka kapërcyer parashikimet.

Një karrierë vetëm në rritje, në këta njëzet vjet, me veprimtari si në si Itali ashtu edhe në vende të tjera. Referimin e parë e kemi te biografia artistike e mjeshtrit Gashi, e cila na përball me fakte, ngjarje dhe personazhe që përpuqen në një pikë: talenti e profesionaliteti i lartë janë të padiskutueshëm. Dy elementë, veçanti biografike, që kanë dërguar në skenat e gjithë botës ku ka interpretuar si pianist e si kompozitor. Një “udhëtim” ky individual por edhe kolektiv pasi krah mjeshtrit renditen emra të shquar të skenës ndërkombëtare të muzikës. Mësojmë se Aleksandër Gashi ka qenë pianist i interpretuesve të mëdhenj të muzikës operistike si Paolo Silveri, Mario Basiola, Katia Ricciarelli, Marian Barcelona, Ines Salazar, Piero Giuliaci, Sandra Pastrana, Alessandro Liberatore etj. Ka pasur bashkëpunime me Giuseppe Sinopoli, Luciano Damiani, Enrico Stinchelli etj.

Vështirë t’i japim ne një përcaktim këtij udhëtimi kaq të suksesshëm e kur kërkojmë të na ndihmojë vetë protagonisti, ai na “ çarmatos” me shprehjen: “kam pasur vetëm një rival: veten time”.

Kështu kuptojmë se ndjenja kritike ka qenë flamuri i punës , e më vjen ndërmend titulli i të parit artikull që gazeta Bota Shqiptare i dedikoi vite më parë “Virtuoziteti i dy duarve e dhjetë gishtave”.

E duke kërkuar ndonjë element që nuk është cituar në shkrimet e intervistat e mëparshme arrijmë të veçojmë diçka: faktin që Mjeshtri Gashi nuk është shpërngulur asnjëherë nga Roma, qyteti i tij i adoptimit prej më shumë se njëzet vjetësh. Dhe u ndalëm pikërisht këtu.

Roma një ditë i hapi dyer dhe ai mbeti aty aq sa të mos largohej prej saj, duke refuzuar edhe propozime të lakmueshme përtej oqeanit.

Një ndjenjë detyrimi kjo e Gashit ndaj Romës? Apo thjesht mirënjohje, tipike e shpirtrave fisnikë. Gjithsesi, të dy bashkë (mjeshtrin dhe Romën) i ka përkëdhelur fati, falë momentit historik, jetës.
Në këtë qytet, kryeqytet të botës, pianisti e kompozitori Aleksandër Gashi krah integrimit ka mbajtur gjallë shqiptarinë e tij “ Shqipëria është forca ime” – kështu shprehet artisti .

Me kohë, është bërë pikë referimi për kolegë e artistë të rinj shqiptarë që në Romë kanë synuar rritjen apo afirmimin profesional. Ambasada shqiptare në Romë e ka pasur gjithmonë të ftuar nderi në aktivitetet kryesore festive të organizuara prej saj, ku ai ka ofruar interpretimet e tij emocionuese.

Të gjitha sa përmendëm kanë qenë dhe janë edhe motivet pse autoritetet më të larta shtetërore shqiptare e kanë vlerësuar gjithnjë. Kështu në dhjetor 2012, Presidenti i Republikës së Shqipërisë Bujar Nishani me rastin e vizitës së tij në Romë i dedikoi pianistit e kompozitorit Aleksander Gashi një takim privat ku dhe ka pasur rastin të flasë mbi rolin e artistëve në promovimin e vendit e të angazhimit që politika shqiptare duhet t’i kushtojë kësaj fushe.

Në mars 2013, Aleksandër Gashi u ftua në Tiranë në takimin e organizuar nga kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli ku u fol për rolin e artistëve shqiptarë në mërgim e vëmendjen që politika shqiptare duhet t’i kushtojë kontributit të tyre. “Nga ky takim – tregon Mjeshtri Gashi – falë gatishmërisë dhe vullnetit të mirë të kryetares pritet të realizohet së afërmi një koncert në ambientet e Kuvendit, ku do të aktivizohen edhe artistë të tjerë , që jetojnë në Itali e Shqipëri”.

“Kam interpretuar në 1998 në Parlamentin italian në praninë e përfaqësuesve më të rëndësishëm të shtetit, e po kështu në Parlamentin europian të Strasburgut por tjetër kuptim e tjetër impenjim merr interpretimi në tokën që na rriti e na formoi si artistë” – thekson Aleksandër Gashi

Në vazhdën e takimeve me autoritetet shqiptare, nuk mund të mungonte edhe një me kryetarin e bashkisë së Shkodrës, vendlindjes së artistit, ku tema e kulturës ishte qendrore. Për traditë, asnjë qytet më shumë se Shkodra “bastioni i kulturës dhe i qytetërimit shqiptar” nuk ofron e përdor kulturën si skenë bashkimi qytetar. Kështu një dëshirë kthehet në propozim që po realizohet. Së afërmi një Koncert i pianistit e kompozitorit Aleksandër Gashi do të bashkojë e prezantojmë vlerat më të mira artistike edhe të artistëve të tjerë emigrantë e kolegëve muzikantë të qytetit. “Muzika bashkon – e mbyll Aleksandër Gashi – ajo është shpresë e jo vetëm një komunikim i shpejtë si asgjë tjetër”.

In italiano: Aleksander Gashi, italiano per meriti ma sempre albanese nel cuore

 

Cécile Kyenge: një reformë me koston zero

Alfano, Giovannini, Bonino e Kyenge. Ja kush do të qeverisë imigracionin në Itali