Falë kontributit e solidaritetit, vogëlushi është sjellë në Ancona e do të operohet të hënën e ardhshme
Romë, 28 qershor 2012 – Falë fushatës së mbledhjes së fondeve të hapur nga shoqata Patronesse, Alketi, vogëlushi 14 muajsh nga Tirana me probleme në zemër është sjellë tashmë në Itali: nga e marta, ai gjendet i shtruar në spitalin rajonal Torrette të Ankonës ku të hënë do të operohet nga ekipi i profesor Marco Pozzi, Drejtori i Repartit të kardiokirurgjisë pediatrike.
Nga zyra e shtypit e shoqatës Patronesse thonë për shqiptariiitalise.com se shuma prej 20 mijë eurosh e nevojshme për mbajtjen në spital të djalit është mbledhur e për këtë falënderojnë të gjithë ata qytetarë, sipërmarrës, italianë e shqiptarë që kanë dhënë kontributin e tyre.
Sipas mjekut që do të operojë djalin dhe që këto ditë po e viziton e po kupton gjendjen konkrete shëndetësore të tij, Alketi mund të ketë nëvojë për një periudhë më të gjatë post-operatore për shkak të ndonjë komplikimi të mundshëm ndaj mbledhja e fondeve vazhdon. Por gjithsesi, nga shoqata sigurojnë se do të mbulojnë vetë diferencën e nevojshme në mënyrë që Alketi të qëndrojë në spital për të gjithë kohën e nevojshme deri në shërimin e tij të plotë.
Historia e Alketit
Alketi, 14 muajsh, që kur ka lindur, është lënë në jetimoren e Tiranës nga nëna e tij 14-vjeçare. Një keqformim në zemër i vë në rrezik jetën nëse nuk operohet sa më shpejt dhe në Shqipëri një ndërhyrje e tillë nuk është e mundur.
Kirurgu Marco Pozzi (Drejtori i Repartit të kardiokirurgjisë pediatrie të Spitalit Riuniti-Torrette, Ancona) që do të operojë djalin ka saktësuar se probleme si këto të Alketit mund të sjellin ndryshime të shpejta dhe është më mirë të veprohet urgjentisht, sepse nuk dihet se sa i mbetet për të jetuar. Ai ka shtuar se në rast ndërhyrjeje të shpejtë, fëmija nuk do të ketë asnjë pasojë gjatë jetës.
Për të siguruar sa më shpejt shumën e nevojshme për qëndrimin në spital të vogëlushit, më 12 qershor shoqata Patronesse pranë spitalit pediatrik “G. Salesi” të Anconës dhe SPAI, shoqatë adoptimesh ndërkombëtare, nisën një fushatë të gjerë sensibilizimi dhe hapën një llogari bankare për mbledhjen e fondeve.
Të dhënat bankare ku mund të bëhen derdhjet e parave janë:
conto corrente dedicato presso la banca Unicredit di Ancona
intestato a:”Associazione Patronesse”
causale del versamento: “Dedicato a Alket”
IBAN IT17G0200802619000102099102
BIC SËIFT: UNCRITM1Q10 (per derdhje parash nga jashtë Italisë)
Shqiptari i Italisë