in

Altari i atdheut – Il Vittoriano

Simbol i Republikës, vend prehjeje i ushtarit të panjohur dhe i altarit të atdheut, kompleksi madhështor në Sheshin Venecia është i mbushur me simbole më vete.

Viktoriani ose siç quhet ndryshe nga italianët, Altari i Atdheut,  gjendet në një nga sheshet më të bukura të Romës, në sheshin Venecia. Në 1880 u vendos që populli italian t’i kushtonte Mbretit Viktor Emanuel II i cili porsa kishte vdekur, një monument madhështor në shenjë mirënjohjeje për kontributin që kishte dhënë në Bashkimin e Italisë. Fitues i konkursit të vitit 1882, u shpall arkitekti markixhan Xhuzepe Sakoni (1854-1905), projekti i të cilit u miratua dy vjet më vonë. Në mendjen e Sakonit monumenti duhet të ishte një vepër arti ku të gjenin hapësirën e duhur personazhet e Risorxhimentos, me në qendër statujën e Viktor Emanuelit të Dytë në kalë. Për këtë i shërbeu si model antikiteti i lavdishëm romak me sheshet e momumentet kushtuar Perandorëve të mëdhenj.

Guri i parë u vendos në 1885, në praninë e Mbretit Umberto I. Që nga ajo datë vështirësitë nëpër të cilat do të përshkohej vepra e Sakonit do të ishin të panumërta, duke filluar nga ato financiare e duke përfunduar tek ato të ndryshimeve në projekt. Me vdekjen e Sakonit, punimet i marrin në dorë arkitektët Gaetano Koh, Manfredo Manfredi e Pio Piaçentini. Punimet u zgjatën deri në 1935, datë kjo që mund të konsiderohet si përfundimi i veprës që Sakoni u la trashëgim italianëve.

Viktoriani është i përbërë nga disa grupe alegorike. Secili prej tyre luan një rol të caktuar në tërësinë e veprës. Tema kryesore e veprës shprehet nga mbishkrimi: “PATRIAE UNITATI” “CIVIUM LIBERTATI”, “Kushtuar Lirisë së Atdheut, “Lirisë së Qytetarëve” të cilat janë te këmbët e kuadrigave, karrocave romake, vepra të Karlo Fontanës dhe Paolo Bartolinit. Kuadrigat u vendosën në vitin 1927 dhe me to monumenti kapi lartësinë 81 m. Ato simbolizojnë Bashkimin dhe Lirinë e italianëve. Në Viktorian himnizohen gjithashtu edhe virtytet e popullit italian.

Jashtë monumentit, poshtë, anash, gjenden dy shatërvanë. I pari, majtas, simbolizon detin Adriatik, me luanin e Shën Markut të Venecies, ndërsa tjetri, djathtas, paraqet detin Tirren me ujkonjën e Romës dhe sirenën Partenope.

Altari i atdheut pranë të cilët rrinë në roje gjithnjë dy ushtarë, është vepër e skulptorit breshan Anxhelo Zaneli. Përfundoi në 1921 me murimin e eshtrave të Ushtarit të Panjohur. Kurse statuja e Perëndeshës Romë u vendos në 1925.

Në Viktorian u është kushtuar vëmendje edhe 16 krahinave që përbënin Italinë në fund të shek. XIX. Konceptimi i tyre iu besua arkitektëve që vinin nga pjesë të ndryshme të Italisë. Krahas Krahinave, gjejmë edhe statujat e 14 Qyteteve që kanë qenë kryeqytete italiane ose republika detare të vetëqeverisura në periudha të ndryshme historike.

Një rol të rëndësishëm në vepër, përsa i përket zbukurimeve, luajnë edhe motivet nga bimësia. Kështu, ornamentet kanë në përbërje gjethe palme (simbol fitoreje), lisi (force), dafine (trimërie dhe paqjeje), mërsine (simbol i therorisë) dhe ulliri (i paqes dhe i harmonisë).

Megjithëse i lidhur ngushtë me historinë e kombit, italianët nuk i kanë kursyer kritikat ndaj veprës më të madhe kushtuar Bashkimit në një shtet të vetëm. Kokat më të shquara të kulturës e të artit italian ndër vite kanë vënë në dukje vlerat por edhe të metat e projektit të Sakonit dhe të arkitektëve të tjerë.

Ngjyrat e trengjyrëshit

Domethënia e stemës së Republikës Italiane