in

Altin Prenga shtron darkë shqiptare në Universitetin e Shkencave gastronomike

Më 20 mars, kush jeton në Bra e përreth ka mundësinë të shijojë gatimet e shefit Altin Prenga, restoranti i të cilit në Shqipëri, Mrizi i Zanave ka marrë tashmë famë ndërkombëtare

Romë, 20 mars 2014 – Universiteti i Shkencave Gastronomike, UNISG, ndër 24 shefat e kuzhinës të përzgjedhur nga e gjithë bota për të gatuar një darkë në kuadrin e nismës ‘Tavole Accademiche’ të këtij viti, ka sjellë nga Shqipëria Altin Prengën. Është pikërisht shefi i restorantit më me emër shqiptar, Mrizi i Zanave në Fishtë të Lezhës, që mbrëmjen e 20 marsit do të ofrojë një menu shqiptare në sallën kryesore të universitetit (në orën 20.00 në Aula Magna, UNISG, rruga Amadeo di Savoia, 8, Pollanzo, Bra).

Altin Prenga është një kuzhinier i ri, plot pasion, i dashuruar me tokën e tij që tani por revolucionon jo vetëm panoramën gastronomike shqiptare por të të gjithë Ballkanit.

Pas dhjetë vjetëve emigracion në Itali, është kthyer në vendlindje me idenë e qartë për të hapur restorantin e parë Slow Food e për të realizuar ëndrrën e tij të një kuzhine tradicionale që të vlerësojë pjatancat dhe prodhimet vendase.

Me punën e tij disavjeçare te Mrizi i Zanave, Altin Prenga është tashmë edhe ambasador i kulturës gastronomike pastorale shqiptare. Përfaqëson shpesh Shqipërinë në evenimente ndërkombëtare të artit të gatimit si për shembull në Sallonin Ndërkombëtar të Shijes “Salone Internazionale del Gusto” në Torino para dy vjetëve. Thirrja nga universiteti i Shkencave Gastronomike në kuadrin e “Tavole gastronomiche” është një tjetër vlerësim që i bëhet punës së tij.

Darka që do të shtrojë në UNISG do të përmbajë një shumëllojshmëri ushqimesh të kuzhinës shqiptare, natyrisht të gatuara në mënyrën speciale të shefit: kush do të arrijë të prenotojë një vend (numri i vendeve është i kufizuar, për prenotime duhet telefonuar në 340.37.48.532) mund të shijojë kërce plëndësi të tymosur apo djathë të bardhë, pastërma e djathë dhie me bukë misri e një gotë raki rrushi, fasule me këmbë e kokë derri, tavë Elbasani, mish keci me pilaf. Për ta mbyllur darkën, Prenga ka zgjedhur embëlsira me bazë ftoi, shege, thane e kadaifi dhe verë Kallmet. 

Lum kush do të mund t’i shijojë!

K.B. / Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

 

Rimini. Paulin Nikaj në kërkim për vrasjen e Nimet Zyberit

Eurovision 2014. Hersi Matmuja përfaqëson Shqipërinë me “One Night’s Anger”