in

Ambasada britanike ndryshon praktikat e aplikimit për vizë

Drejtori i Menaxhimit në Agjencinë Britanike të Kufirit (UKBA): “Aplikimi dhe pagesa me internet do të sjellë një proces më efikas e më të sigurt për aplikantët si edhe shkon në drejtimin e prirjes globale për pagesa dhe transaksione online”

Tiranë, 6 Qershor – Nga data 11 qershor, të gjitha aplikimet për vizë britanike, që do të paraqiten në Shqipëri, duhet të plotësohen online si dhe pagesa e tarifës së vizës do të bëhet gjithashtu online dhe me euro.

Aplikanti duhet të plotësojë formularin dhe të kryejë pagesën online përpara se të paraqitet në Zyrën e Vizave në Tiranë për të dorëzuar një kopje të shtypur të formularit dhe t’i nënshtrohet procedurës së  dhënies së shenjave të gishtërinjve dhe të fotografive.

Takimet për të dorëzuar aplikimin për vizë duhet të kërkohen me e-mail drejtuar Zyrës së Vizave në visatiran.appointments[at]fco.gov.uk. Kërkesa për takim duhet të dërgohet pasi të jetë plotësuar formulari online dhe të jetë kryer pagesa.

Sipas zyrës për shtyp të ambasadës britanike në Tiranë, nga data 11 qershor nuk do të jete më e mundur që pagesa të bëhet me para në dorë. Si fillim, bën të ditur ambasada britanike, pagesa online mund të bëhet vetëm në Euro me anë të një karte krediti ose debiti të tipit Visa ose Mastercard. 

Ky ndryshim është pjesë e procesit të ‘automatizimi’ në mbarë botën që ka për qëllim të arrijë brenda 2013/14 që të interesuarit të aplikojnë dhe të paguajnë tarifën e vizës me internet. 
Në 79 vende të botës, tashmë kanë filluar të bëjnë pagesën për vizë britanike vetëm online, bën të ditur ambasada bitanike në Tiranë.

Gordon Stein, Drejtori i Menaxhimit në Agjencinë Britanike të Kufirit (UKBA), i cili është përgjegjës për shërbimin e vizave britanike në Shqipëri shprehet se, “lëvizja drejt aplikimit dhe pagesës me internet do të sjellë një proces aplikimi më efikas dhe është vazhdim i tendencës globale për pagesa dhe transaksione online. Do të jetë edhe një proces më i sigurt për aplikantët të cilët nuk do të kenë më nevojë të mbajnë me vete sasi të mëdha parash gjatë procesit të aplikimit”.

Pasi programi i ndryshimit të përfundojë në të gjithë botën, qytetarëve do t’u jepet mundësia të zgjedhin midis disa lloje valutash dhe të përdorin metoda të tjera pagese. Deri atëherë, theksojnë të njëjtat burime, aplikantët që nuk kanë kartë Visa ose Mastercard, mund të blejnë një kartë të parapaguar dhe ta përdorin, por gjithmonë të tipit Visa ose Mastercard. Gjithashtu, aplikantët që synojnë të udhëtojnë me vizë pune ose studenti, mund t’i kërkojnë agjencisë së tyre të udhëtimit t’u bëjë pagesën e aplikimit për vizë kur ata prenotojnë fluturimin dhe/ose akomodimin.

 

Kombëtarja kuqezi e futbollit në rritje falë fitoreve të fundit

Punonjësit me kualifikim të lartë. Drejt miratimit Karta blu