Kanë mbërritur në Ambasadën shqiptare në Romë abetare e libra të tjerë për mësimin e shqipes dhe të kulturës shqiptare. Do t’u jepen shoqatave që organizojnë kurse të gjuhës shqipe
Romë, 7 mars 2012 – Ambasada e Shqipërisë në Romë lajmëron të gjitha shoqatat se Instituti i Diasporës në Ministrinë e Jashtme i ka nisur një sasi librash shkollorë për mësimin e gjuhës shqipe. Janë Abetare, Të mësojmë gjuhën amtare dhe kulturën shqiptare 1, 2 dhe 3, si dhe Fletore pune që të gjithë libra të dobishëm për mësimin e shqipes jashtë atdheut që do të jepen falas.
Lajmi është shumë i mirë për të gjitha shoqatat që sot organizojnë kurse të mësimit të gjuhës shqipe si Scanderbeg e Parmës apo Skënderbeu i Fermos, DEA e Cecina-s apo ASAT e Triestes, por mund të vlejë si nxitje për hapje kursesh të mësimit të shqipes edhe në qytete të tjera me përqendrim të lartë emigrantësh shqiptarësh.
“Libra të tillë të konceptuar apostafat për fëmijët që mësojnë gjuhën shqipe jashtë atdheut, i kishim kërkuar prej vitesh – thotë ambasadori Llesh Kola për shqiptariiitalise.com. – Jemi shumë të kënaqur që më në fund na u sollën, në këtë mënyrë mund t’u japim mbështetjen tonë të gjithë atyre që kanë hapur apo duan të hapin kurse të gjuhës shqipe e të kulturës shqiptare në qytete të ndryshme të Italisë”.
“Lajmi i krijimit të këtij fondi në ambasadë është shumë pozitiv – thotë Durim Lika i shoqatës Scanderbeg të Parmës. – Libra si këta i kemi kërkuar që kur kemi hapur shkollën tonë në Parma e deri më sot i kemi blerë dhe fotokopjuar vetë. Do të gjejmë mundësinë të shkojmë sa më parë në ambasadë për të tërhequr kopjet që na nevojiten”.
Të gjitha shoqatat e interesuara për të pasur libra nga ky fond duhet të paraqesin projektin e kursit të shqipes dhe të kërkojnë numrin e librave që u nevojitet duke iu drejtuar Ambasadës në dy adresa interneti të vëna në dispozicion prej saj: info[at]ambalbania.it, embassy.rome[at]mfa.gov.al.