in

Ambasadori i BE-së: “Plotësoni 12 prioritetet për statusin e vendit kandidat”

Nënshkruhet marrëveshja e Financimit prej 82 milionë eurosh e BE-së për Shqipërinë. Sequi: “Është detyrë e Shqipërisë që të bëjë të mundur që kjo ndihmë financiare përkthehet në rritje, zhvillim dhe integrim për qytetarët e këtij vendi”

Tiranë, 2 shkurt 2012 – “Bashkimi Europian pret nga Shqipëria që të plotësojë 12 prioritetet për marrjen e statusit të vendit kandidat”, deklaroi të enjten, ambasadori i Delegacionit të BE-së në Tiranë, Ettore Sequi, gjatë nënshkrimit të marrëveshjes së Shqipërisë me Bashkimin Europian e cila parashikon financimin e 82 milionë eurove për projekte të ndryshme në dy vitet e ardhshme. Marrëveshja u nënshkrua në Tiranë mes Ministres së Integrimit Majlinda Bregu dhe Ambasadorit të Bashkimit Europian Ettore Sequi

Pjesa më e madhe e fondeve do të shkojë për programe të infrastrukturës, në bashkëfinancimin e projekteve për ndërtimin e rrugëve të reja nacionale dhe rurale, në ndërtimin e një impianti të ujërave të zeza, në rehabilitimin e disa shkollave, në mbështetje të sistemit të drejtësisë, të mbrojtjes të të drejtave të njeriut e vecanërisht për komunitetin rom, në forcimin e kapaciteteve të administratës si dhe për zhvillimin e sektorit rural dhe agro-ushqimor.

Ambasadori i Bashkimi Europian tha se kjo marrëveshje nuk është thjeshtë një formalitet, por është një moment përgjegjshmërie i Bashkimit Europian për t’i akorduar ndihmën e premtuar financiare Shqipërisë, në mënyrë që të ndihmojë në përpjekjet e saj për t’u zhvilluar. “Nga ana tjetër – shtoi ai, – është një moment përgjegjshmërie i Shqipërisë që duhet të sigurojë se kjo ndihmë financiare përkthehet në rritje, zhvillim dhe integrim për qytetarët e këtij vendi”.

Ambasadori Sequi iu referua më pas rëndësisë dhe përgjegjësisë së Shqipërisë për përmbushjen e 12 objektivave që Brukseli ka përcaktuar, në mënyrë që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat. që janë: parlament funksionues, zgjedhje të lira dhe të ndershme, administratë publike meritokratike dhe profesionale, reformë në drejtësi, luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, sigurim i së drejtës së pronës, të drejtave të njeriut dhe reforma e burgjeve.

“Këto, – shtoi Sequi, – janë çështjet parësore që Shqipëria duhet të përmbushë për të marrë statusin e vendit kandidat duke përmbushur edhe aspiratat demokratike dhe europiane të shqiptarëve”.

 

‘Abetare e posaçme’ dhe ‘Fjalë pas fjale’ dy tekste për fëmijët e emigrantëve

Sahati i Elbasanit, profili i qytetit të lashtë