Në qytetin jugor për hapjen e Konsullatës së Nderit të Italisë në Gjirokastër, Ambasadori italian Saba D’Elia është vlerësuar me titullin e lartë „Qytetar Nderi“
Tiranë, 16 nëntor 2011 – Këshilli bashkiak i Gjirokastrës ka nderuar më 15 nëntor me titullin “Nderi i qytetit”, ambasadorin italian në Shqipëri, Saba D’Elia, me motivacion “Për kontributin të shquar në forcimin e lidhjeve vëllazërore dhe marrëdhënieve midis qytetit të Gjirokastrës dhe komunave e rajoneve të Italisë, në realizimin e shumë projekteve në qytetin muze e historik”.
Flamur Bime, kryetari i bashkisë së Gjirokastrës, teksa i ka dorëzuar Saba D’Elia titullin e akorduar, tha se ambasadori italian gjatë mandatit të tij në Shqipëri ka kontribuar në shtimin e marrëdhënieve dhe në implementimin e disa projekteve për zhvillimin e rajonit jugor. “Këto projekte po vazhdojnë me sukses, duke kontribuar në zhvillimin e zonës”, pohoi Bime, ndërsa përmendi disa projekte të të rëndësishme që janë dhe po zbatohen aktualisht në qytetin e Gjirokastrës.
Saba D’Elia, ambasadori italian në Shqipëri falënderoi këshillin bashkiak për vlerësimin dhe titullin që iu dha. “Ky titull i takon dhe Republikës Italiane që ka mbështetur fort dhe pa rezerva liberalizimin e vizave, pasi Shqipëria, shqiptarët dhe gjirokastritët, e meritojnë të vazhdojnë rrugën drejt Bashkimit Europian”, tha D’Elia.
Pasditen e djeshme është zhvilluar gjithashtu edhe ceremonia e çeljes së konsullatës së Nderit të Italisë në këtë qytet. Teodor Bilushi, pedagog i gjuhës italiane në Universitetin e Gjirokastrës, është prezantuar nga ambasadori italian në vendin tonë, Saba D’Elia, si konsulli i Nderit i Italisë në qytetin e gurtë.
Në ceremoni merrnin pjese veç ambasadorit D’Elia edhe konsulli i përgjithshëm italian në Vlorë, Sergio Strozzi, deputetë të parlamentit shqiptar, përfaqësues të pushtetit lokal etj.