in

Ambasadori Kola: “Nuk besoj se shteti duhet të reagojë për fjalët e Borghezios”

Nga diploma shqiptare e Bossi te fjalët e fundit të Borghezios, nga prezantimi i shoqatës parlamentare të miqësisë Itali-Shqipëri te protesta e Aleancës Kuqezi përpara ambasadës për të drejtën e votës së shqiptarëve jashtë vendit. I kërkuam ambasadorit tonë në Romë, zotit Llesh Kola një mendim mbi këto ngjarje të fundit. 

Romë, 18 maj 2012 – Në një takim me ambasadorin shqiptar në Romë i kërkuam mendimin e tij mbi ngjarjet e fundit që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me marrëdhëniet Itali-Shqipëri dhe tema aktuale që prekin emigracionin në Itali.

Pak ditë më parë, Borghezio, eksponent legist e europarlamentar pati fjalë të rënda për Shqipërinë. E quajti “vend të botës së tretë”,  “Vend të bukur, hiq shqiptarët”. Ç’mendoni për këtë episod?

– Mendoj se janë deklarata të padenja për një europarlamentar italian dhe një parlamentar europian. Nuk ndaj mendimet e tij sepse eksponentë të Legës shkojnë e vijnë në Shqipëri, madje ne kemi edhe dhëndurë senatorë të Legës. Nuk ndaj as mendimin që shqiptarët nuk po vijnë në Itali. Shqiptarët janë të pranishëm në Itali, janë të mirintegruar në Itali. Rreth një milion shqiptarë qarkullojnë çdo vit mes dy vendeve. Për më tepër, niveli i shkëlqyer i marrëdhënieve që kemi me Italinë, shkëmbimet institucionale dhe konkretizimi i fundit i marrëdhënieve në të gjitha fushat janë treguesit më të mirë dhe përgjigjet më të mira ndaj deklaratave të këtij lloji.

Si gazetë kemi nisur on line një fushatë “Jashtë Borghezio nga Parlamenti Europian!”. Kemi pasur aderime të shumta, mbi 1 mijë, nga shqiptarë por edhe nga italianë. Mendoni se shteti shqiptar duhet të protestojë zyrtarisht?

– Shteti nuk mendoj se duhet të reagojë. Është një zë i vetëm. Deklaratat janë të padenja por një zë i një italiani nuk mendoj se duhet të marrë ngjyrat e protestës zyrtare.

Shpesh, nga komentet e lexuesve, vërehet të akuzohet shteti shqiptar për indiferentizëm …

– Shteti nuk është aspak indiferent ndaj shqiptarëve jashtë atdheut. Por ju mos shihni komentet on line herë me emër e herë anonime. Unë mund të flas për ambasadën që drejtoj: pothuajse gjysma e personelit të Ambasadës është në shërbimin konsullor, çka nënkupton shërbimin ndaj qytetarëve dhe si Ambasadë bëjmë të pamundurën për t’u shërbyer qytetarëve. Kush ka trokitur këtu nuk ka gjetur indiferentizëm por është ndihmuar.

Para një jave pati një protestë përpara ambasadës nga Aleanca Kuqezi për të drejtën e votës së emigrantëve në Atdhe. Si e pritët një gjë të tillë?

– M’u duk i gabuar vendi. Ndoshta do të ishte më mirë të ishte bërë, mirë në kryeqytete të ndryshme të Europës, por përpara zyrave të organizmave europiane për të drejtat e njeriut, pasi ato mund të përcjellin këtë shqetësim pranë Kuvendit të Shqipërisë: sepse kur një e treta e popullsisë është në emigracion problemi i të drejtës së votës qëndron. Gjithsesi, nga ana tjetër e kuptoj edhe zgjedhjen e protestës përpara ambasadës si vend që përfaqëson shtetin shqiptar jashtë.

Zoti ambasador ç’përshtypje ju ka bërë lajmi i diplomimit të Renzo Bossit në Shqipëri?

– Po hetohet.

Në datën 15 maj 2012 u prezantua Shoqata Parlamentare e Miqësisë Shqipëri-Itali në të cilën bëjnë pjesë 104 senatorë italianë. Ç’është kjo shoqatë?

– Ishte një aktivitet shumë i bukur dhe me shumë rëndësi, pasi u zhvillua në Senatin italian dhe kishte një pjesëmarrje të lartë. Shoqata e themeluar nga senatori arbëresh Basilio Giordano është një organizëm lobingu për një bashkëpunim më të frytshëm Itali–Shqipëri në të gjitha fushat dhe për integrimin e vendit tonë në Europë. Është një mjet  më shumë në numrin e madh të instrumenteve dhe kontakteve që kanë marrëdhëniet tona dypalëshe.

Kjo shoqatë do të veprojë në fushën kulturore apo atë të shkëmbimeve ekonomike mes vendeve?

Ajo do të  merret me çdo lloj komponenti të marrëdhënieve dypalëshe. Si në fushën kulturore, si në promovimin e mundësive që ofron shqipëria e Italia në zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike, në marrëdhëniet institucionale. Do të lobojë në favor të integrimit të Shqipërisë si në parlamentin italian ashtu edhe në atë evropian. Mendoj se do jetë një faktor shumë i rëndësishëm e shumë pozitiv. Kemi në krahë 104 parlamentarë për të punuar me institucionet dhe biznesin italian për më shumë marrëdhënie e më shumë investime në Shqipëri.

Bisedoi Keti Biçoku

 

Ambasada në Romë: “Ejani tërhiqni pasaportat”

Italia çon dosjen e Kajollit dhe kërkon ekstradimin