in

Ambasadorja Bitri: “Shqiptarët e tërmetit, altruistë e solidarë”

Tronditëse, vdekjet e shkatërrimi që preku me dorë në fshatin më shumë të dëmtuar nga tërmeti, humbja e jetës së një babai të ri shqiptar që la pas gruan me dy vajza të vogla, bisedat me të shtruarat në spital. Mbresëlënës, në mënyrë të veçantë vetëmohimi e solidariteti që pa mes shqiptarëve e italianëve që shkonte përtej kombësisë. Kështu përshkruan Ambasadorja e Shqipërisë Anila Bitri çka përjetoi të mërkurën e të enjten, mes shqiptarëve të tërmetit.

Ambasadorja Anila Bitri me dy të rinj të cilëve tërmeti u shkatërroi shtëpitë“Dy ditë të gjata, të vështira e plot emocione, si e mërkura në Amatrice, ashtu edhe e enjtja në spitalin Gemelli të Romës. Përballja me 5 të plagosurat në spital ishte e vështirë. Kanë plagë, thyerje dhe shtypje relativisht jo të rënda e nuk rrezikojnë jetën, por ishin tmerrësisht të shokuara. Mezi flisnin, madje njëra më përsëriste se ishte e rrethuar nga të vdekur edhe pse mundohesha ta qetësoja duke i thënë se i kishte të gjithë gjallë të afërmit e saj” tregon ambasadorja Bitri të premten mbasdite për Shqiptariiitalise.com.

Për të plagosurit, të gjitha gra e vajza, thotë se fillimisht ishin tetë të shtruara në spitale, dy prej të cilave të mitura. Të premten kanë mbetur të shtruara vetëm 5 e nga këto në gjendje më të rëndë është Elsa Toro, e shoqja e viktimës shqiptare Erjonit, që ndodhet në L’Aquila. “Me përjashtim të bashkëshortes të së ndjerit, gjendja e të cilës është e qëndrueshme ,por për të cilën mjekët akoma nuk japin prognozën, tre kanë dalë nga spitalet e katër të tjerat akoma të shtruara janë në gjendje jo të rëndë”.

Ambasadorja me dy familjarë të Erjon TorosNdërsa për viktimën, Erjon Toro, thotë se Ambasada sapo lëshoi të premten dokumentin e nevojshëm për riatdhesimin e trupit dhe se që të mërkurën ishte interesuar që familja të kishte sa më pak shpenzime në kurriz. Është veçanërisht e kënaqur kur në darkë vonë na jep lajmin se Këshilli i Ministrave ka vendosur të mbulojë shpenzimet për transportimin e trupit të të ndjerit dhe ceremoninë e varrimit të tij. “Të dashurin nuk ua kthejmë dot gjallë, por të paktën të mos i lëmë vetëm në këtë ditë të veshtire e t’u vijmë në ndihmë familjarëve në aspektin ekonomik”.

Për vdekjen e Erjon Toros, tregon se lajmin në ambasadë e morën që të mërkurën paradite. “Nuk arrinim të kishim konfirmim zyrtar nga shtabi i emergjencës, ndaj shpresoja me gjithë zemër të mos ishte i vërtetë”. “Vendosëm të niseshim. Rrugës u lidhëm telefonikisht jo vetëm me autoritetet italiane,  por dhe me shqiptarë në zonë që na pritën”.

Në Amatrice, ku jetojnë rreth 50 shqiptarë, ambasadorja takohet me shumë prej tyre. “Na treguan sesi që me natë, menjëherë pas tërmetit, fillimisht kishin shkuar në shtëpitë e njëri tjetrit. Kishin nxjerrë nga rrënojat 7 gra shqiptare. Takuam edhe personin që kish nxjerrë trupin e Erjon Toros të pajetë”.

Duke e ditur kush është akoma në Shqipëri e kush në fshat, për shqiptarët e zonës nuk ka qenë e vështirë të mësohej shpejt që nën rrënoja nuk kishte asnjë prej tyre, ndaj menjëherë më pas u janë bashkuar të tjerëve për të kërkuar fqinjin, kolegun, mikun e familjes.

“Askush nga tanët nuk qahej,  – tregon e prekur Ambasadorja – të gjithë jepnin ndihmë si të mundeshin. Burrat gërmonin me grupet e shpëtimit në kërkim të të humburve, gratë jepnin gjak, u gjendeshin familjeve të tjera duke u mbajtur fëmijët e të moshuarit”.

Në vendin ku po ngrheshin teendat për të mbijetuarit“Të jashtëzakonshme historitë e vetëmohimit dhe të solidaritetit që mësova aty – vazhdon ambasadorja – Një grua shqiptare që kujdesej për një të moshuar vendase më tha se menjëherë pas tërmetit, në fillim shpëtoi personin për të cilin kujdesej, pastaj vrapoi në shtëpi te i biri. Shqiptarët që na shoqëronin herë pas here shkëmbenin telefonata edhe me italianë për të lajmëruar që ishin gjallë. Të shihje gëzimin që u shkëlqente në sy kur mësonin që miku ishte mirë apo lotët që u rridhnin faqeve kur mësonin për dikë që nuk ia kishte dalë dot… Një shqiptar kishte ardhur që në mëngjes në Amatrice nga Roma për të ndihmuar. Nuk kishte familjarë apo të njohur bashkatdhetarë në zonë, thjesht e ndiente se mund e duhet të jepte një dorë”.

“U ndjenë mirë që ne shkuam atje dhe nëse kjo ua lehtëson sadopak dhimbjen, kjo është shumë për ne. Dua t’i siguroj të gjithë që derën e ambasadës e kanë gjithnjë të hapur”.

K.B. / Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

Ambasadorja Anila Bitri me dy të rinj të cilëve tërmeti u shkatërroi shtëpitë

Ambasadorja me dy familjarë të Erjon Toros

Në vendin ku po ngrheshin teendat për të mbijetuarit

 

Italia qan viktimat e tërmetit. Shkon në 281 numri i personave të vdekur

Il terremoto e gli sciacalli dei social network che non rappresentano l’Italia