Zbarkonte nga një traget i nisur nga Greqia. E hedhur në treg do të sillte fitime për mëse 100 mijë euro
Romë, 26 shtator 2013 – Sërish zbulohet një sasi e konsiderueshme droge e arrestohet një i ri shqiptar që përpiqej ta fuste në Itali. Këtë radhë është fjala për 11 kg marihuanë e zbuluar mbrëmjen e të martës në portin e Anconës gjatë kontrolleve të makinave që zbarkonin nga një traget që vinte nga Greqia.
Droga u gjet në makinën e një të riu shqiptar 21 vjeç me iniciale A.G., e ndarë në 11 shishe uji dhe e fshehur në serbatorin e karburantit të makinës. 21-vjeçari ka deklaruar se kishte ardhur në Itali për të ndenjur disa ditë te disa të afërm të tij në Perugia, por pas zbulimit të “mallit” është mbyllur në burgun e Ankonës me akuzën e trafikimit ndërkombëtar të lëndëve narkotike.
Forcat e rendit kanë nisur hetimet për të mësuar se kush ishte destinatari i sasisë së drogës, që po të hidhej në treg mund të jepte fitime për më shumë se 100 mijë euro.
Redaksia Shqiptari i Italisë