in

Anilda Ibrahimi: “Gjatë ikjes shpërbëhet edhe identiteti, por mbeten kujtimet”

“Kujtesa jonë duhet trupëzuar para se të transformohet nga vendi në vend, nga gjuha në gjuhë, nga identiteti në identitet”. Intervistë me Anilda Ibrahimin, një tjetër shkrimtare shqiptare hyn me këmbë të rëndë në botimet italiane.

Bota shqiptare: Një befasi libri yt, gati sagë epike, e një familjeje dhe e një fshati  të Labërisë që mund të jetë edhe gjithë Shqipëria. Për ty, çfarë është “Rosso come una sposa”?
Anilda Ibrahimi: Libri im është memoria e emigrantit e rindërtuar mbi fraktura. Janë memorie pa vend dhe në ndryshim të përhershëm, nga brezi në brez, nga një shtet në tjetrin. E pra, këto memorie  unë vendosa t’i ndal, t’i fiksoj ne faqet e këtij libri duke patur frike se pas ca kohe do të shndërroheshin sërish bashkë me mua, me levizjet  e mia  dhe me ndryshimet e paparashikueshme të ambientit përreth. Memoriet transformohen nga vendi në vend, nga gjuha në gjuhë, nga identiteti ne identitet.

Diku ke thënë që ky libër nuk mund të lindte në gjuhë tjetër përveçse në italisht. E megjithatë është një italishte “e infektuar” deri në palcë me fjalëve të urta apo deri edhe terma në origjinal në shqip, e mjaft orientalizma të shqipes.

Po, e saktë. Libri ka lindur në italisht dhe mendoj që për mua nuk mund të lindte në asnjë gjuhë tjetër. Do të ishte një tjetër libër.  Përsa i përket fjalëve të urta apo shprehjeve tipike shqiptare është e natyrshme, në fund të fundit është rezultat i përzierjes së kulturës time të mëparshme me atë të tanishmen, ku mund të ndodhë në mos në nje libër bazuar mbi memorien?  Të mendosh se ne  gjuhën time të pare edhe pas shekujsh kanë ngelur fjalë orientale, si mund te mos ndodhë ne nje distancë kohe fare  të shkurtër mes gjuhës sime amtare dhe italishtes si gjuhë  e re  e mësuar tashmë e rritur?

Është për t’u vënë re që janë të treja femra tre shkrimtaret që arrijnë të botojnë me shtëpi të rënda botuese: Elvira Dones me Feltrinellin, Ornela Vorpsi dhe ti me Einaudin. Po të përjashtojmë Gëzim Hajdarin e Ron Kubatin, përbëni një treshe të veçantë, tre femra  që bëjnë letërsinë tonë të mërgimit në Itali, që bashkohet, edhe në pikën se librat e të trejave kanë po femrën protagoniste.
Vërtet është kënaqesi të shikosh shkrimtaret shqiptare që kanë mbërritur në perëndim të formuara dhe shkruajnë në një gjuhë që nuk është e tyrja dhe mbi të gjitha me shtëpi botuese mjaft dinjitoze. Teoria ime është e thjeshtë: kur ndodh një eksod i madh që shpërbën dhe prek komunitetin,  gjatë ikjes shpërbëhet edhe identiteti – e vetmja gjë që ngelet është memoria, kujtimet,  dhe janë gratë ato qe tentojnë të parat të rindërtojnë gjithçka. Nga ana mëmësore, materna si i thonë, ka një vajtje më të natyrshme drejt transmetimit të kulturës precedente, dhe me te vërtetë ne gratë jemi me fat për këtë. Ndoshta kjo behet përmes këngëve, baladave, dokeve, zakoneve, ushqimit  etj, sepse fjalët në këtë kontekst i mbijetojnë më lehtësisht çrrënjësimit.  Ndoshta kështu shpjegohet edhe romani im shkruar në italisht, por, siç e quajte ti,  tërësisht shqiptar.

Si në romanin tënd, ashtu edhe në librat e dy autoreve të tjera, edhe pse janë viktima, janë gratë ato që mbajnë shpresën dhe jetën. Burrat janë thuajse të gjithë të dhunshëm.
Kanë qenë vite të mbushura me luftëra, me dhimbje e gjak. Kur mbarojnë konfliktet gratë në të gjithë botën shpesh nuk e marrin vesh nga cila anë kanë mbetur: nga fituesit apo të humburit. Sepse pas nje konflikti jemi te gjithë të humbur dhe gratë janë të parat që përpiqen të qepin plagët e hapura, të rindërtojnë, të gjejnë ushqim për të mbijetuar fëmijët dhe me këtë gjejnë dhe shpresën per t’u dhënë një të ardhme të ndryshme brezave të ardhshëm. Përsa u përket burrave nuk ishte qellimi im t’i tregoja të dhunshëm, por mungues, të pagjindshëm. Gratë e mia janë shumë afër matriarkatit sepse edhe kultura jonë pavarësisht se përshkruhet si maskiliste për mua është shumë e ngjashme me kulturat e tjera mesdhetare ku figura e nënës është qendrore.

E kjo “questione di kurvëria”, e njëjta temë, i njëti togfjalësh që përdor po me sytë e një vogëlusheje që rritet mes meshkujsh të dhunshëm edhe Ornela Vorpsi në “Il Paese dove non si muore mai”?

Nuk e kisha vënë re, por tani që po ma thua, besoj se edhe rastësi nuk mund të quhet. Nuk e di nëse është tendencë kulturore apo jo, por për këtë argument u kam qëndruar besnike kujtimeve te mia te vegjëlisë, ne kohen time ishte çështje jetike ne edukimin e një vajze, dhe ndoshta është dhe edukimi i vetëm sentimental qe unë kam marrë…

Letërsia e mërgimtarëve në italisht, konsiderohet nga kritikët si truall i frakturës, i largësisë, ku rindërtohen kujtimet  e së shkuarës dhe të së tashmes. A është libri yt edhe një homazh i nostalgjisë?
Provoj nostalgji si gjithkush për fëmijërinë e tij, por gjithsesi nostalgjia është shumë reduktive si shtysë për të shkruar një roman. Sepse nuk do të ishte në gjendje të mbante peshën dhe pritshmëritë si pikënisje,  do të dilte një homazh mbushur me lot e me qurra për këdo që e lexonte, libri im nuk ka ton qaraman dhe as është rekuiem për të shkuarën. Dhe nuk është as terapia e emigrantit që humbet pikat e referimit. Libri shikon të shkuarën me tone ironike dhe shpesh merr tone gazmore, mbi të gjitha shikon të ardhmen.

Shkallarja mes jetës dhe vdekjes, së cilës ti i kushton librin, mund të lexohet edhe si një metaforë mes së shkuarës e të ardhmes?

E bukura e këtij libri është se gjithkush që e ka lexuar ka parë diçka të ndryshme nga tjetri.  Jam shumë e kënaqur nga kjo gjë, këndvështrime të ndryshme sepse asnjëherë gjerat nuk janë ashtu si duken. Kjo është e vërteta ime dhe nuk pretendoj që të jetë e të gjithëve.
Sidoqoftë, qëndron, por, unë raportin midis jetës dhe vdekjes nuk e kam përdorur vetëm si metaforë mes të shkuarës dhe të ardhmes. E kam përdorur për të sjellë “il lamento funebre” vajin e grave te jugut. Gjeja shume interesante lidhjen mes të gjallëve dhe te vdekurve si pjesë e të njëjtit destin, dhe një aspekt kaq të fuqishëm të kulturës tonë nuk mund ta lija pas dore.

Sa e lidhur mbetesh me vendin dhe ngjarjet që ringjallen në libër?

Nuk janë ngjarje autobiografike, edhe pse më përkasin tërësisht. Jam e lidhur sepse duke i dëgjuar me mijëra herë janë bërë të miat, dhe për këtë desha edhe t’i rrëfej. Në fund të fundit ngjarjet janë edhe të atyre që i tregojnë, apo jo? Shumë personazhe kanë lindur dhe kanë marrë jetë në faqet e librit tim, por jo për këtë janë më pak të besueshëm, përkundrazi edhe mua nganjëherë më bëhet sikur kanë ekzistuar dhe unë i kam njohur. Shpresoj që librin ta lexojnë sa më shumë shqiptarë në Itali,  e shpresoj qe edhe ata t’i njohin, e të gjejnë pjesë të kulturës sonë, pjesë të asaj të shkuare që kemi ndarë dhe që s’harrohet lehtë.

Fole si shkrimtare. Tani si mërgimtare, ti je nga ato që mbetesh e lidhur me komunitetin.

Natyrisht që jam pjesë e komunitetit, kam ndjekur prej vitesh gjithçka qe kanë jetuar ne kurriz shqiptarët nëpër fushata diskriminimi të papara dhe mbi të gjitha të paqarta. E gjithmonë pyes: shteti ynë, përfaqësite diplomatike, ku kanë qenë? Askush nuk ka pretenduar publikisht të na kërkojne falje mbas çdo transmetimi televiziv ku janë akuzuar “i mostri albanesi” për të zbuluar më pas që shqiptarët nuk hynin. Gjë që e bëjnë përfaqësitë rumune, ukrainase, kineze. 
A nuk është momenti ta ndërrojme politikën pragmatiste të llojit “ta mbajmë mirë me Italinë”, e të sakrifikojmë 400.000 shqiptarë që denigrohen këtu?
Po nuk e respektuam ne kombin tonë, askush nuk ka për ta respektuar. Ka mbërritur momenti të riformojmë “shtyllën kurrizore” të thyer të nacionalitetit tonë dhe shteti duhet të veprojë i pari.

r. sejko, Bota Shqiptare 195 – qershor 2008

Kinema e Shqipërisë

Anilda që rrëfen plagën tonë