Agjencia italiane e lajmeve ANSA ka përcjellë menjëherë momentin e nxehtë të konferencës së përbashkët të shtypit të kryeministrit shqiptar me atë serb dhe irritimin e këtij të fundit kur Rama ka folur rreth Kosovës.
ANSA kujton që “Edi Rama bën një vizitë historike në Beograd, e para e një kreu qeverie të Tiranës në 68 vjetët e fundit”. Por kur Rama ka pohuar para gazetarëve që “çështja e Kosovës është zgjidhur, tani ajo është një vend i pavarur”, Vuçiç ka reaguar ashpër. “Nuk e prisja një provokim të tillë. Më vjen keq për faktin që Rama ka përfituar nga ky rast për të folur mbi tema për të cilat nuk është rënë dakord më parë. këtë nukmund ta lejoj, është detyrë e imja të mos i lejoj askujt të poshtërojë Serbinë në Beograd. Nuk di ç’lidhje ka Rama me Kosovën. Kosova është pjesë e Serbisë dhe sipas kushtetutës, nuk ka pasur e nuk do të ketë asnjë raport me Shqipërinë” janë sipas ANSA-s fjalët e Vuçiçit.