Shpesh nëse prishim një kontratë telefonike me një operator, për t’u lidhur me një tjetër, na kërkohen të paguajmë “penale” apo kosto të larta çaktivizime. A ka të dreejtë kompania të na kërkojë këto para? Si të mbrohemi në këto raste? Kujt t’i drejtohemi?
Dekreti Bersani bis ka sjellë disa të reja të rëndësishme për sa i përket kontratave me operatorët e telefonisë, të rrjeteve televizive dhe të komunikimit elektronik si për shembull Tim, Vodafone, Wind, Telecom, Infostrada, Fastweb, Tiscali, Sky, Premium.
Ky ligj mbron konsumatorët që nënshkruajnë kontrata me furnizuesit e këtyre shërbimeve për përdorim ekskluzivisht privat, pra për arsye jo të lidhura me aktivitetin e punës. Për shembull ky ligj nuk zbatohet për kontratat e lidhura nga sipërmarrje, shoqëri ose punonjës të pavarur.
Nevoja e mbrojtjes lind nga fakti që këto kontrata përbëhen nga modularë standard, të përgatitura më parë nga Kompanitë telefonike ose televizive, dhe duhen nënshkruar pa pasur mundësinë e ndryshimit të përmbajtjes ose të kushteve të parashikuara.
Të rejat e parashikuara nga Dekreti Bersani për shërbimet e telefonisë kanë të bëjnë kryesisht me:
– prishjen e parakohshme të kontratës
– transferimin e shërbimeve
– heqjen e kostove për kartat e parapaguara
– heqjen e afatit të skadimit për kredinë telefonike
Prishja e kontratës
Ligji parashikon që konsumatori që ka lidhur një kontratë, mund të heqë dorë nga ajo në çdo moment e pa shpenzime. Pranohen vetëm shpenzime të mundshme që kanë të bëjnë me kostot e ndërmarrjes për çaktivizimin e shërbimit.
Pra nuk parashikohen të ashtuquajturat “penale”, pra kosto në ngarkim të konsumatorit që vendos të ndërpresë kontratën sepse dëshiron të ndërrojë kompani ose sepse nuk ka më nevojë për shërbimin e zgjedhur fillimisht.
Edhe nëse në kontratë parashikohet që konsumatori nuk mund të anulojë kontratën përpara se të kalojë një periudhë minimale kohe, përndryshe duhet të paguajë një gjobë, ky kusht nuk është më i vlefshëm sepse është kundër ligjit.
Si anulohet kontrata
Konsumatori që dëshiron të ndërpresë një kontratë duhet detyrimisht të dërgojë një letër të porositur në të cilën të specifikohen të dhënat personale (emër, mbiemër, datëlindje e vendlindje), të dhënat e kontratës së shërbimit (kodin e klientit, numrin e kontratës, numrin i celularit e kështu me radhë) dhe të deklarojë vullnetin për ndërprerjen e kontratës.
Letra e porositur mund të dërgohet në selinë e ndërmarrjes por mund edhe të niset paraprakisht me faks.
Anulimi duhet të parashikojë një periudhë paralajmërimi prej 30 ditësh që fillojnë nga marrja e letrës së porositur nga ana e furnizuesit të shërbimit.
Pasi kalojnë 30 ditë nga marrja e letrës së porositur, furnizuesi i shërbimit duhet ta ndërpresë atë dhe nuk mund t’i kërkojë konsumatorit asgjë përveç shpenzimeve të mundshme të çaktivizimit.
Nëse për të pasur shërbimin, shoqëria i kishte dhënë në përdorim konsumatorit ndonjë aparaturë, si për shembull telefon celular ose modem, këto duhen kthyer.
Është e rëndësishme pra që në letrën e anulimit të specifikohet se këto aparatura janë në dispozicion për t’u tërhequr ose, nëse parashikohej nga kontrata, duhet të dërgohen me postë.
Si të mbrohesh?
Për zbatimin e ligjeve për ndërmarrjet që kryejnë shërbime telefonike, për rrjetet televizive ose komunikim internet, vigjilon një organ shtetëror që quhet Autoriteti për Garancitë në Komunikim, AGCOM.
Ky Autoritet ka vendosur që shpenzimet e mundshme për çaktivizimin e shërbimit dhe mënyrën e ushtrimit të anulimit të kontratës, duhet të dalin të qarta nga leximi i thjeshtë i kontratës e gjithsesi në çdo rast, konsumatori nuk duhet të paguajë asnjë gjobë, edhe nëse quhet me emër tjetër, gjatë ushtrimit të të drejtës së heqjes dorë nga kontrata.
Nëse kompania telefonike nuk respekton rregullat e vendosura nga ligji dhe me gjithë anulimin, kërkon pagimin e shumave të padrejta, konsumatori mund t’i drejtohet drejtpërdrejt Autoritetit Garant për të kërkuar të drejtat e tij.
Të gjitha informacionet mbi procedurat që duhen ndjekur pranë AGCOM, mund të gjenden në www.agcom.it