in

Apeli aktual i Savianos: “Ruajuni plehrave të Italisë”

Ligji i sapomiratuar mbi importimin e plehrave të sjell ndërmend paralajmërimin e Roberto Savianos të para pesë vjetëve: “Kujdes! Çdo minierë do t’ju shndërrohet në një vendshkarkim mbeturinash, çdo fabrikë e braktisur do t’ju shndërrohet në një magazinë plehrash!”

Tiranë, 23 shtator 2016 – Shqipëria mund të importojë mbetje urbane. “Në ndihmë të industrisë së riciklimit” mbrojnë ligjin nismëtarët, ndoshta edhe “në ndihmë të vëllait të madh italian që herë pas here shkon në krizë në këtë aspekt” mund të thonë mendjet e liga. E para pesë vjetëve paralajmëronte se mund të ndodhte një gjë e tillë edhe shkrimtari Roberto Saviano në një intervistë dhënë Rudina Xhungës për emisionin Shqip.

Para së gjithash ai u bëri apel shqiptarëve t’i ruhen Italisë, plehrave të saj, apel që mbetet aktual edhe sot. 

“Këshilla që do t’i jepja publikut shqiptar, është: Kujdes! Çdo minierë do t’ju shndërrohet në një vendshkarkim mbeturinash, çdo fabrikë e braktisur do t’ju shndërrohet në një magazinë plehrash. Italia po sheh (dhe jo vetëm Italia mafioze) në hapësirën shqiptare një biznes për mbeturinat. Sa më shumë dëshirë ka për të bërë biznes nga ana e shqiptarëve, aq më i lartë është rreziku gjeografik, biologjik, natyror për Shqipërinë” thonte atëherë Saviano, fjalë që mund të përsërisë pa frikë edhe sot.

“Bëni shumë kujdes! Cikli i mbeturinave, nëse është i qartë, i kontrolluar në çdo kalim të tijin, mund të shndërrohet në një biznes për kombin shqiptar. Pohonte Saviano – por nëse ky operacion nuk kontrollohet, pas pesë vjetësh ne do të takohemi përsëri dhe do të themi se si vallë periferitë e qyteteve shqiptare, fshatrat shqiptare janë plot me mbeturina toksike, mbeturina italiane, mbeturina ballkanike. Shqipëria rrezikon të bëhet një gropë që duhet mbushur me mbeturina legale. Kështu që bëni kujdes me këtë që po ndodh”.

Edhe sot, me miratimin e ligjit për importimin e mbetjeve, Saviano mund të përsërisë “Ky është hapi i parë për të bërë që të ndodhë në Shqipëri, jo thjesht ajo që po ndodh (ndodhte) në Napoli, por për ta mbushur pjesën që nuk shihet, fshatrat, guroret, minierat e braktisura, për t’i mbushur të gjitha këto me plehra dhe për t’i sjellë fitime atij që ndërmjetëson në këto transporte”.

Lexo intervistën e plotë të Savianos të marsit 2011:
Saviano: “Shqiptarë, ruajuni Italisë”

 

 

 

Kuvendi miraton me 63 vota importimin e plehrave

Importimi i mbetjeve, kapitullimi i Qeverisë