Sjellim të përditësuar informacionin shpjegues të Ambasadës së Shqipërisë në Romë mbi mënyrën e aplikimit dhe të tërheqjes së pasaportave biometrike dhe të letërnjoftimeve elektronike.
Para së gjithash lajmërohen të gjithë shtetasit shqiptarë se pasaportat jobiometrike janë të vlefshme për t’u përdorur si dokument udhëtimi deri më 01 Mars 2012. Pas kësaj date me pasaportën e vjetër mund të shkohet vetëm në Shqipëri e prej andej të dilet me pasaportën biometrike.
Udhëzimet e zyrës konsullore pranë Ambasadës së Shqipërisë në Romë:
Kush aplikon
Ka të drejtë të aplikojë për dokumentet biometrike çdo shtetas shqiptar i regjistruar në zyrat e gjendjes civile në Shqipëri.
Çdo shtetas shqiptar që ka mbushur moshën 16 vjeç dhe nuk ka letërnjoftimin elektronik, duhet të aplikojë njëkohësisht për:
Letërnjoftim elektronik që kushton 10 euro.
Pasaportë biometrike që kushton 108 euro.
Çdo shtetas shqiptar me moshë deri në 16 vjeç, ka të drejtë të aplikojë vetëm për pasaportën biometrike, i shoqëruar nga të dy prindërit, duke paraqitur një dokument me të cilin të tregohet lidhja familjare e prindërve me të miturin, d.m.th një certifikatë familjare.
Personat që janë të pajisur me letërnjoftimin elektronik shqiptar duhet ta kenë atë me vete kur paraqiten në zyrën konsullore të Ambasadës për të aplikuar për pasaportë.
Procesi i aplikimit është i njëjtë me atë që kryhet edhe në zyrat e aplikimit në Shqipëri.
Kur mund të aplikoni
Orari i aplikimit: Çdo ditë nga e Hëna deri të Premten nga ora 09.00 – 14.00
Ku mund të aplikoni
Adresa: Ambasada e Republikës së Shqipërisë, Via Asmara 5, 00199 Romë
Ku mund të paguani
Para se të aplikohet për dokumente biometrike, duhet të bëhet pagesa në numrin e llogarisë dedikuar këtij shërbimi, pranë Bankës Intesa San Paolo (Banca Intesa San Paolo) apo banke tjetër në llogarinë bankare me koordinata IBAN: IT 57 O 030 6905 1431 0000 0003 283 (sqarim: O pas numrit 57 është germa O si ora dhe jo numri zero).
Për të aplikuar për dokumentet biometrike, i interesuari duhet të paraqitet personalisht tek personeli i Ambasadës me mandat – pagesën e bankës dhe të ketë me vete një dokument identifikimi të vlefshëm si më poshtë:
– Pasaportë
– Leje për drejtim automjeti (e reja)
– Letërnjoftim elektronik (nëse keni)
– Dokument tjetër të vlefshëm me fotografi
Gjithashtu mund të pranohen për aplikim edhe dokumentet italiane të mëposhtme:
– Leje qëndrimi (permesso di soggiorno)
– Kartë identiteti
Si të veproni kur dokumenti biometrik ka humbur, është dëmtuar dokumenti biometrik, apo janë ndryshuar të dhëna të gjendjes civile
Çdo shtetas ka të drejtë të ri-aplikojë për dokumentet biometrike, në rastet e mëposhtme:
1. Humbje/vjedhje e dokumentit biometrik
Në këtë rast qytetari duhet të paraqitet me mandat-pagesën, një dokument identifikimi dhe me denoncimin bërë pranë kuesturës/policisë, i cili duhet të jetë i legalizuar me vulë APOSTILLE dhe i përkthyer (përkthim i betuar) në gjuhën shqipe;
2. Dëmtim i dokumentit biometrik
Qytetari duhet të paraqitet me mandat-pagesën, një dokument identifikimi dhe me dokumentin biometrik të dëmtuar, i cili dorëzohet në zyrën konsullore me procesverbal.
3. Ndryshime në të dhënat e gjendjes civile të shtetasit
Në këtë rast, qytetari paraqitet me mandat-pagesën, dokumentin e identifikimit dhe dokumentin që vërteton ndryshimin e të dhënave të gjendjes civile.
Kur mund të tërhiqni dokumentet biometrike
Dokumentet biometrike mund të tërhiqen tre javë pas datës së aplikimit, duke konsultuar faqen zyrtare të ambasadës, ku afishohen herë pas here, dokumentet e prodhuara sipas datave të aplikimit.
Tërheqja e dokumenteve bëhet duke paraqitur kuponin e aplikimit dhe një dokument identifikimi, çdo ditë nga e hëna në të premte, orari 13.00 – 14.00.
Kujdes! Duhet ruajtur fatura e aplikimit
Kush mund t’i tërheqë dokumentet biometrike
Letërnjoftimi elektronik do të tërhiqet vetëm pas paraqitjes personalisht të çdo aplikanti, pranë Zyrës Konsullore.
Pasaporta, tërhiqet personalisht nga aplikanti, apo nga kujdestari ligjor për shtetasit nën 16 vjeç ose nga persona të autorizuar me prokurë të posaçme si dhe pjesëtar i afërt i familjes (bashkëshorti/ja, prindi, fëmija) me certifikatën familjare me vete.
Lexoni edhe:
Ambasada: Informacion shpjegues për pasaportat biometrike
Lista e dokumentave biometrikë për t’u tërhequr