in

Ardhja në Itali për t’u kuruar. Ç’procedurë duhet ndjekur

Ime motër ka nevojë për kura mjekësore që nuk mund të bëhen në vendin tonë, ndaj dua ta sjell në Itali. A është e mundur? Si të veprojmë?

Romë, 24 maj 2016 – Një i huaj që nuk është rezident në Itali mund të vijë për t’iu nënshtruar një terapie mjekësore specifike, edhe pse nuk është i regjistruar në Shërbimin Shëndetësor Kombëtar SSN. Por duhet të paguajë vetë të gjitha detyrimet financiare të kurimit.

Qoftë i huaji qoftë shoqëruesi i mundshëm mund të paraqesin kërkesë pranë konsullatës italiane për lëshimin e një vize hyrjeje për kura mjekësore.

Në rast se kërkuesi nuk mund të paraqesë personalisht kërkesën për lëshimin e vizës dhe për lejen e qëndrimit, këtë gjë mund ta bëjë dikush tjetër për të.

Kërkesës i duhet bashkangjitur:

– Deklaratë e strukturës shëndetësore, shtetërore apo private, ku i huaji do të shtrohet. Në deklaratë duhet të specifikohet lloji i kurimit, data e nisjes dhe kohëzgjatja e menduar e trajtimit shëndetësor.
– Dëshmi e depozitimit të një shume (deposito cauzionale) në favor të strukturës shëndetësore të përzgjedhur. Derdhja mund të jetë bërë në eruo ose dollarë amerikanë, e duhet të jetë të paktën sa 30% e kostos së përgjithshme të parashikuar të shërbimeve të kërkuara.
– Dokument që dëshmon aftësi ekonomike të nevojshme për të mbuluar shpenzimet shëndetësore, për ngrënie e fjetje dhe për rikthimin në atdhe. Në rast se i interesuari nuk udhëton vetëm, duhet të tregojë se ka mundësi ekonomike për shpenzimet e udhëtimit dhe të qëndrimit edhe për shoqëruesin.
– Certifikatë shëndetësore që dëshmon sëmundjen nga e cila vuan i huaji. Nëse kjo nuk është e lëshuar nga një strukturë italiane, duhet të përkthehet në italisht.

Pas hyrjes në Itali, qoftë i interesuari, qoftë shoqëruesi, mund të kërkojnë leje qëndrimi drejtpërdrejt në Kuesturën e qytetit ku do të qëndrojnë.  Lejeqëndrimi që u lëshohet do të ketë vlefshmëri sa kohëzgjatja e parashikuar për trajtimin dhe do të mund të përtërihet për sa kohë do të jetë e nevojshme të qëndrohet në Itali për shërim.

Lejeqëndrimi për kura mjekësore nuk lejon punësimin e nuk mund të konvertohet në një lejeqëndrim për motive pune.

Së fundi, kujt ka lejeqëndrim për kura mjekësore nuk i lejohet të regjistrohet në SSN as të derdhë kontribute vullnetare.

In italiano: Ingresso in Italia per cure mediche. Qual’è la procedura?

Maria Elena Arguello/Stranieriinitalia.it
Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

 

Transfermarkt.it: 27-shja kuqezi e De Biasit, 46,13 milionë euro

Shqiptarët e dëbuar qajnë përpjekjet e dështuara për të mbërritur në Britani