in

Arrestohet brenda 48 orëve nga krimi, vrasësi i turistëve çekë

20 vjeçari Sokol Mjacaj që ka pranuar vrasjen e dy turistëve çekë, vetëm pesë vjet më parë kishte vrarë barbarisht një fëmijë 13 vjeç për një varëse floriri por para një muaji ishte liruar nga burgu
Nga arrestimi i Sokol Mjacajt

Tiranë, 6 korrik 2015 – Policia e Shkodrës në bashkëpunim me Forcat RENEA arrestoi të dielën 20vjeçarin Sokol Mjacaj, si i dyshuar kryesor në lidhje me vrasjen e dy turistëve çekë, Michal Svato dhe Anna Kosinova, në zonën e Dukagjinit. Sipas të dhënave të publikuara në media, Policia e Shkodrës dyshon se autori i vrasjes së dy turistëve çekë është Sokol Fran Mjacaj.

Po, unë jam autori, e kam kryer i vetëm dhe pa bashkëpunëtorë. Qëllimi ishte të grabisja makinën. Kam hipur me zor në makinë. Në fshatin Lotaj i kam dalë para automjetit e u kam drejtuar armën, duke u bërë me shenjë të ndalojnë. Kanë ndaluar dhe me zor u kam hipur në makinë. Gjatë gjithë rrugës deri në Prekal i kam mbajt nën kërcënimin e armës. Aty u kam thënë të zbresin, por tentuan të më merrnin armën dhe i qëllova. Makinën nuk e mora pasi ra në greminë kur e qëllova shoferin gjatë ecjes. Kam marrë vetëm një telefon se mu duk shumë i mirë”, duket se u ka thënë hetuesve Mjacaj duke pranuar plotësisht autorësinë e ngjarjes të së premtes.

Menjëherë pas arrestimit të tij, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako, përmes një deklarate për mediat u shpreh se do të vazhdojnë hetimet për të verifikuar nëse autori i vrasjes së dy turistëve çekë ka pasur bashkëpunëtorë.

“Kemi arritur kapjen e autorit të vrasjes barbare të dy turistëve çek. Falënderoj banorët e zonës së Grudës së Re që na erdhën në ndihmë dhe krijuan kushte për izolimin tij. Falënderoj efektivët e policisë që për 48 orë pa pushim kanë krehur gjithë zonën,”­ tha Çako.

Dy turistët çekë, Michal Svato dhe Anna Kosinova u vranë mbrëmjen e së premtes në afërsi të fshatit Prekal në zonën e Dukagjinit në Shkodër

Më tej, ndërsa u shprehu ngushëllimet familjeve të dy turistëve të vrarë ai theksoi se do ketë shtim të masave policore në zonën ku ndodhi ngjarja duke garantuar kështu një siguri më të madhe për turistët e banorët. “Siguroj shtetasit e huaj dhe shqiptarë që duan të vizitojnë zonën se do jenë më të sigurt tani e tutje dhe duke na bërë më të përgjegjshëm për të kontrolluar dhe t’ju vëmë në dispozicion gjithë shërbimet e nevojshme”­ u shpreh Çako.

Por ai nuk la pa shtuar edhe se do të hetohen arsyet se përse 20-­vjeçari gjendej i lirë pas vrasjes së një fëmije. Në fakt, Mjacaj ka qenë i dënuar më parë për vjedhje me pasojë vdekjen e një të mituri, në vitin 2010, por u lirua nga burgu para një muaji. “Jemi duke analizuar në mënyrë të detajuar edhe arsyet se përse ky kriminel i lindur gjendet jashtë edhe pas kryerjes së një tjetër krimi po kaq makabër, sepse ka qenë edhe më parë i dënuar për grabitje me pasojë vrasjen e një fëmije,”­ u shpreh Drejtori i Policisë së Shtetit.

Edhe Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri pasi falënderon forcat e Policisë për arrestimin e autorit të vrasjes së dy turistëve çekë të premten në mbrëmje në afërsi të fshatit Prekal në zonën e Dukagjinit në Shkodër, nuk lë pa thumbuar organet e drejtësisë. “Faleminderit Policisë dhe banorëve të Dukagjinit për arrestimin në kohë rekord të njeriut që ndoshta duhet të ishte ende në burg për krimet e mëparshme, e jo të vriste përsëri”, shkruan ministri Tahiri në një status në rrjetin social “Facebook”.

 

 

 

Egërsia si fat dhe varr i turizmit shqiptar

Shqiptarët shpërthejnë derën e perëndimit