in

Arrestohet kampioni i boksit Orial Kolaj. Akuzohet të jetë ‘boksieri’ i mafiozëve Casalesi

Boksieri shqiptar, ish kampion i Italisë dhe i Europës, sipas Guardia di Finanza, përdorej nga klani mafioz për të siguruar monopolin në sallat e lojërave të fatit në Acilia. Nga një anë duhej të bindte pronarët e bareve të instalonin slot-machine të klanit Casalesi, nga ana tjetër të trembte konkurrencën

Romë, 30 tetor 2013 – Një organizatë kriminale e përbërë nga 15 vetë të lidhur ngushtë me klanin mafioz Casalesi që kontrollonte lojërat e fatit në Romë, është shkatërruar dje nga një operacion i Guardia di Finanza të kryeqytetit, që ka sekuestruar edhe pasuri për rreth 30 milionë euro. Ndër 15 të arrestuarit edhe shqiptarë, ndër të cilët një boksier me emër.

Është fjala për Orial Kolajn, boksier shqiptar që në shkurt 2012 është shpallur kampion italian i peshave gjysmë të rënda, ndërsa në qershor të të njëjtit fitoi titullin e kampionit evropian në të njëjtën kategori. Kolaj akuzohet të jetë “ekzekutori i akteve të dhunës me qëllim trembjeje në rrethanat rënduese të bashkëpunimit mafioz”.

Nga përgjimet gjatë hetimeve ka dalë edhe emri i tij që konsiderohej “makinë lufte” të cilin “vetëm plumbi mund ta ndalë” dhe që përdorej nga klani mafioz qoftë për të trembur konkurrencën, qoftë “për të bindur” ata që nuk donin të paguanin.

Pikërisht falë Kolajt e disa shqiptarëve të tjerë që thirreshin “boksierët”, klani mafioz Casalesi kishte arritur të krijonte monopol të lojërave elektronike të fatit në Acilia. Sipas Guardia di finanza, me anë të dhunës, klani Casalesi ka ushtruar kontroll të plotë mbi sallat e lojërave dhe të basteve të Acilias: nga njëra anë duke bindur pronarët e bareve të instalonin slot-machine të klanit, nga ana tjetër duke trembur konkurrencën me anë të boksierëve shqiptarë.

Pesëmbëdhjetë të arrestuarit duhet të përgjigjen për krime të ndryshme nga pjesëmarrje në organizatë mafioze deri në dhënie parash me fajde, zhvatje parash, konkurrencë të paligjshme me kërcënime e dhunë, mbajtje armësh pa leje.

Keti Biçoku

Durrës. Sekuestrohen në port 240 kg marihuanë, arrestohet një person

Cittadinanza. Lega Nord: “Senza colloquio in Questura è diventata troppo facile”