in

Arrestohet në Vlorë mafiozi italian

Albino Prudentino, një nga krerët e organizatës mafioze “Sacra Corona Unita”, është arrestuar sot në Vlorë, në një operacion të organizuar nga  Prokuroria e Përgjithshme, Policia e Shtetit, Shërbimi Informativ Shtetëror, në bashkëpunim me Prokurorinë e Antimafias të Lecce-s

Tiranë, 29 shtator 2010 – Burime zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme bënë të ditur sot se është bërë i mundur arrestimi i shtetasit italian, Albino Prudentino, vjeç 59, lindur në Ostuni (Brindisi), një nga krerët e organizatës mafioze “Sacra Corona Unita”, person i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga organet italiane të drejtësisë. Për të, Gjykata e Lecce-s ka lëshuar një urdhër-arrest më datë 20 shtator 2010 për veprat “bashkëpunim kriminal të tipit mafioz”, “trafik droge”, “grabitje në rrethana rënduese”.

Albino Prudentino, konsiderohet nga drejtësia italiane si një prej bosëve të kontrabandës së cigareve dhe një prej elementeve kryesore të organizatës kriminale Sacra Corona Unita. Padroni i arkave me cigare të sjella në Itali nga Greqia, Mali i Zi, Shqipëria dhe Spanja, ai është kapur një herë në Patrasso të Greqisë pas një ndjekjeje të gjatë më 16 nëntor të vitit 1999. Asokohe ai doli nga burgu grek sepse drejtësia italiane nuk kishte paraqitur brenda afateve te caktuara, maksimumi 40 ditë, kërkesën për ekstradim. Në vitin 2001 arrestohet sërish në Greqi bashkë me të birin. Sasitë e cigareve kontrabandë të shitura nga organizata me në krye Prudentinon ishin shumë të mëdha, flitej për 20 mijë arka në muaj.

Gjatë përgjimeve telefonike te kryera kohet e fundit, hetuesit italiane kishin zbuluar se klani i drejtuar prej Albino Prudentinos, ishte lidhur me bosët e mafies siciliane, në mënyrë të veçantë me atë që konsiderohet bosi i bosëve, Bernardo Provenzanon.
Mendohet se 59 vjeçari Prudentino të ketë pasur lidhje edhe me shtetas shqiptarë, të përfshirë në veprimtari kriminale për vetë faktin e arrestimit të tij në qytetin e Vlorës.

Prokuroria sqaroi se arrestimi i Prudentinos, i kryer sot në qytetin e Vlorës, është në kuadrin e një operacioni të gjerë ndërkombëtar të emërtuar “Kalipso” për vënien para drejtësisë të pjesëtarëve të një organizate me karakter mafioz “Sacra Corona Unita”, që operon në zonën e Brindisit.

Në kuadër të të njëjtit operacion, hetimet e të cilit kanë nisur në vitin 2008, Gjykata e Lecce-s ka lëshuar urdhrin për arrest ndaj 11 personave dhe arrestimi i 9 prej tyre është bërë njëkohësisht në tre shtete. Të njëjtat burime konfirmuan se në Itali janë arrestuar 7 persona, në Shqipëri shtetasi italian Prudentino, ndërsa një shtetas tjetër është arrestuar në Tailandë. Dy persona të tjerë janë ende në kërkim.

Aktualisht për të kërkuarin ndërkombëtar Albino Prudentino po kryhen procedurat përkatëse me qëllim ekstradimin e tij drejt Italisë.

Danjel Kosma ekspozon në San Benedetto del Tronto

Një 52-vjeçar shqiptar, viktima e radhës e punës