in

Arrestohet një shqiptar për përdhunim të miturish

Sipas akuzës, për tre vjet rresht, një 29-vjeçar ka përdhunuar tre motrat e mitura të të shoqes

Romë 14 prill 2011 – Karabinierët e Fermos i kanë dhënë fund një historie të hidhur dhune brenda mureve të shtëpisë, duke arrestuar një shqiptar 29 vjeçar të akuzuar për përdhunim të tre kunatave të tij të mitura.

E bën të ditur agjencia e lajmeve ANSA, sipas së cilës, një punëtor shqiptar 29 vjeç, rezident prej kohësh në Fermo, është arrestuar me akuzën e rëndë të dhunës seksuale të vazhdueshme mbi tri motrat e mitura të të shoqes, edhe këto shqiptare.

Karabinierët gjatë hetimeve delikate e të ndërlikuara kanë zbuluar që 29-vjeçari, të paktën tre vjetët e fundit ka abuzuar disa herë seksualisht me tre adoleshentet, fillimisht me dy më të mëdhatë, binjake që sot janë 17 vjeç, dhe më pas edhe me më të voglën vetëm 12 vjeç.

Në një ambient të ulët kulturor e shoqëror të familjes, shqiptari ka mundur të sigurojë  heshtjen e vajzave duke i kërcënuar me pasoja të rënda që do të kishte mbi to një denoncim i mundshëm dhe duke i bindur se më shumë se viktima ato ishin fajtore në këtë histori.

Tre motrat jetojnë me prindërit, edhe këta prej vitesh në Itali, në një banesë pranë asaj të familjes të së bijës së martuar. Nga hetimet del në dritë se shqiptari priste daljen e vjehërrve, për të hyrë në shtëpi të tyre e për të përdhunuar kunatat.

Kanë qenë fqinjët dhe miqtë e familjes ata që lajmëruan karabinierët se kishte diçka që nuk shkonte.

Sot 29-vjeçari ndodhet në burg, me akuzën e përdhunimit të vazhdueshëm të tre të miturave.

Napolitano fton Presidenten e Kosovës për vizitë zyrtare në Itali

Si mbeti Shqipëria pa McDonald’s (por bashkë me Vatikanin)