Duhet të vuajë 6 muaj burg, kosovari Avdi Zogaj i kapur dje ndërsa zbriti nga trageti që mbërrinte nga Italia
Tiranë, 28 dhjetor 2011 – Të martën u shoqërua në mjediset e paraburgimit të Vlorës 29 vjeçari nga Kosova, Avdi Zogaj, i cili u kap një ditë më parë nga policia në pikën e kalimit kufitar në portin e këtij qyteti, për shkak se ishte dënuar nga Gjykata e Vlorës për veprën penale të falsifikimit të pasaportave.
Zogaj, që po kthehej nga Italia me traget, u bllokua nga autoritetet portuale si person i shpallur në kërkim nga policia e Vlorës.
“Avdi Zogaj, lindur e banues në Bubavec (Gjilan) të Kosovës, me kombësi shqiptare dhe shtetësi kosovare, ishte shpallur në kërkim pasi me Vendimin Nr. 113 datë 03.05. 2007 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, është dënuar me 6 muaj burg dhe 3.000.000 lekë gjobë për veprën penale “Falsifikim i pasaportave”, saktësuan burimet e policisë, sipas të cilave ngjarja për të cilën akuzohet 29 vjeçari ndodhi në vitin 2006 kur ai tentoi të kalojë për në Itali përmes pikës kufitare të portit të Vlorës, duke përdorur një pasaportë të falsifikuar.
29 vjeçari kishte arritur t’i shpëtonte policisë, ndërkohë që çështja gjyqësore në ngarkim të tij u shqyrtua në mungesë.