Jep lajmin Basha, e konfirmojnë atë Rama dhe Meta. Ndoshta nesër reforma votohet vërtet
Tiranë, 20 korrik 2016 – “Sapo kam përfunduar një komunikim intensiv me partnerët amerikanë dhe europianë. Pas komunikimit më të fundit të rakorduar nga komisioneri Hahn, roli i misionit ndërkombëtar do të jetë rekomandues, ndërsa vendimmarrja tërësisht në duart e shqiptarëve. Nuk do të përjashtohet asnjë qytetar shqitpar nga konkurrimi mbi bazën e hamendësimeve apo opinioneve, por vetëm mbi faktet sipas ligjit. Konkludimi në këtë mënyrë i këtyre cështjeve, të lëna si litar jashtë në negociatat e të hënës, është konkludimi me sukses i PD për një draft kushtetues në përputhje me Komisionin e Venecias bazurmbi propozimin e zonjës Nuland. Kjo betejë ka patur dy qëllime: Kushetuetshmërinë dhe të drejtat e liritë themelore”.
Kjo ishte deklarata e kryetarit të PD, Lulzim Basha. Kjo zgjidhje – tha ai – është në përputhje me bindjet që PD ka mbështetur. Partia Demokratike e kishtë vënë si kusht që ndërkombëtarët të mos kishin rol vendimmarrës. Edhe kryeministri Rama e kishte deklaruar vetting-un nga ndërkombëtarët si vijë të kuqe që nuk do ta shkelte për asnjë mënyrë. Më vonë ai tha se nëse PD binte dakord me SHBA e BE, atëherë ai do ta pranonte variantin e PD.
Pas kreut të opozitës Lulzim Basha, për arritjen e konsensusit për miratimin e reformës në drejtësi foli edhe kryeministri Rama që konfirmon këtë zhvillim të sotëm pas letrës së komisionerit të BE-së, Hahn.
Në konferencën për shtyp Rama tha se me miratimin e reformës së drejtësisë vjen përmbysja e kastës së të korruptuarve në sistemin e drejtësisë.
“Besoj është një moment lehtësimi për të gjithë shqiptarët, të cilët tanimë e kanë marrë lajmin se Partia Demokratike i është nënshtruar vullnetit të hekurt të popullit shqiptar dhe vullnetit të hekurt të partnerëve tanë strategjikë që bashkë me shqiptarët cojnë përpara një reformë historike që i hap rrugë revolucionit në sistemin e drejtësië, për përmbysjen përfundimtare të kastës së të korruptuarve dhe inkriminuarve që mban peng drejtësinë në në këtë vend. Është kënaqësi të ndaj me ju tekstin e mesazhit që unë kryetari i Kuvendit dhe kryetari i opozitës kemi marrë nga BE nëpërmjet komisionerit Hahn.”, u shpreh Rama.
Më tej kryeministri lexoi letrën e komisionerit Johanes Hahn, që iu dërgua atij vetë, kreut të Kuvendit dhe kreut të opozitës.
Pas arritjes së konsensusit për reformën në drejtësi ka reaguar edhe kryeparlamentari Ilir Meta. “Kryetari i Kuvendit, z. Meta përshëndet vendimin e PD. Konsensusi është një arritje konsensusi. Mirënjohje Komisionerit Hahn. Reforma në drejtësi është një sukses dhe arritje për të gjithë shqiptarët”, thuhet në reagimin e Metës, që erdhi pak pas reagimit të Bashës.