Aktorja nga Kosova, Arta Dobroshi, zgjidhet ndër 10 aktorët e rinj më të mirë të Europës që shkurtin e ardhshëm do të marrin çmimet “Shooting Stars 2013”. Dy vjet më parë këtë çmim e ka merituar aktori shqiptar Nik Xhelilaj
Tiranë, 14 dhjetor 2012 – Qendra Kombëtare e Kinematografisë ka emëruar mes 30 konkurrentëve nga Europa për çmimin “Shooting Stars 2013”, aktoren nga Kosova, Arta Dobroshi, e cila është përfshirë në dhjetëshen më të mirë. Çmimi do t’i jepet në ceremoninë që do të mbahet në Berlinale nga 9-11 shkurt 2013.
Përveç Arta Dobroshit, mes 10 aktorëve më të mirë të rinj renditen Luca Marinelli nga Italia, Mikel Boe Folksgaard nga Danimarka, Laura Birn nga Finlanda, Christa Theret nga Franca, Saskia Rosendahl nga Gjermania, Ada Condeescu nga Rumania, Jure Henigman nga Sllovenia, Nermina Lukac nga Suedia dhe Carla Juri nga Zvicra.
Çmimi “Shooting Stars”, që tingëllon “Yjet e shkëputura”, financohet nga Agjencia për Promovimin e Filmave Evropianë. Natyrisht që talentet e reja që nderohen me këtë çmim kanë perspektiva të mëdha karriere dhe kontaktesh.
Arta Dobroshi ka studiuar aktrimin në Akademinë e Arteve në Prishtinë. Pas disa prodhimeve të mëdha si “Syri Magjik” i Kujtim Çashkut apo “Trishtimi i zonjës Shnajder”, Arta tërhoqi vëmendjen e dy kineastëve belgë, vëllezërit Dardenne, që i ofruan asaj rolin kryesor në filmin e suksesshëm “Heshtja e Lornës”.
Me këtë çmim u vlerësua në vitin 2011 edhe aktori 28-vjeçar Nik Xhelilaj. Ishte hera e parë që ky çmim iu dha një aktori shqiptar. Motivacioni i jurisë ishte “për rolin e Arbenit në filmin Shqiptari ku aktori sjell të dyja, si intensitetin ashtu edhe butësinë, duke i dhënë kështu rolit një kompleksitet befasues”.