in

Asti: Migrimi i grave shqiptare

Mbahet në Asti konferenca me titull “La migrazione femminile albanese – Uno sguardo sui servizi socio-sanitari e sulla mediazione culturale” që merr shkas nga libri “Donne D’Albania. Tra migrazione, tradizione e modernità”. Promovohet nga Shoqata Multikulturore e Ndërmjetësve ndërkulturorë, Universiteti i Piemontes Lindore, revista “Confronti” dhe shoqata kulturore Alb-Art

Romë, 16 mars 2018 – “Migracioni femëror shqiptar”, kështu titullohet aktiviteti i rëndësishëm që do të zhvillohet në Asti, në datën 26 mars 2018, në orën 17.00, në selinë e Universitetit (Piazzale Fabrizio de Andrè). Nisma promovohet nga A.M.M.I. (Shoqata Multikulturore e Ndërmjetësve ndërkulturorë), UPO (Universiteti i Piemontes Lindore), revista “Confronti” dhe shoqata kulturore Alb-Art.

Qasja origjinale e konferencës me në qendër migrimin e grave dhe vajzave shqiptare, dallohet nga nëntitulli: “Një vështrim mbi shërbimet socio-shëndetësore e ndërmjetësimin kulturor”.

Nisma merr shkas nga libri “Donne D’Albania. Tra migrazione, tradizione e modernità”, (Gra të Shqipërisë. Midis migrimit, traditës dhe modernitetit), përgatitur për botim nga sociologu Rando Devole dhe drejtori i revistës Confronti (www.confronti.net), Claudio Paravati. Është libri i parë që flet për gratë e vajzat shqiptare në Itali e për rolin e tyre në vendin ku kanë mërguar e në atdhe. Një botim i vyer për vetë gratë dhe për të gjithë ata që merren me çështje kulturore, sociale dhe migratore.

Punimet e konferencës së Astit do të hapen e do të moderohen nga Sabina Darova, ndërmjetësuese kulturore. Institucioni vendor do të përshëndesë nëpërmjet përfaqësueses Mariangela Cotto, Asesore e Shërbimeve sociale të Komunës së Astit, ndërsa kumtesat do të mbahen nga specialiste të fushës. Prof. Adriana Platone do të flasë për mënyrën se si migracioni i nxit shërbimet sociale e shëndetësore, prof. Maria Perino do të trajtojë temën e migracionit të grave, veçoritë dhe pasojat e dukurisë, ndërsa prof. Roberta Bornino e shkollës Ispia në Castigliano Asti do të flasë për fëmijët në shkollë. Një dëshmi e brezave të dyta do të jepet nga Sonora Koçi, nxënëse në shkollën e lartpërmendur.

Së fundi, Rando Devole dhe Claudio Paravati do të flasin për librin Gra të Shqipërisë. Midis migrimit, traditës dhe modernitetit. Një hapësirë e veçantë do t’i kushtohet edhe debatit, që do të mundësojë ndërhyrjen e të pranishmëve dhe ballafaqime të tjera.

Programi:

 

DonnAlbania – Gjendja e gruas shqiptare në Atdhe e në Itali

“Gra të Shqipërisë” prezantohet në San Donà di Piave, Rovigo, Padova, Asti dhe Torino