Tiranë, 9 shtator 2011 – Një shpërthim i fuqishëm tritoli i ka marrë jetën një gjyqtari në Vlorë. Ngjarja e rëndë ndodhi në orët e para të mëngjesit të sotëm në rrugën kryesore. Makina e 33-vjeçarit, Skerdilajd Konomi, gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Vlorë, ka shpërthyer sapo ai ka lëvizur automjetin, të cilin e kishte të parkuar. Dëshmitarë në vendngjarje pohojnë se 33-vjeçari ka arritur të dalë nga automjeti, e më pas është transportuar drejt spitalit rajonal. Dëmtimet kanë qenë të shumta, në organe, por edhe gjymtyrë. Si pasojë e gjendjes dhe dëmtimeve të rënda, ai ka humbur jetën. Nga shpërthimi nuk ka patur të lënduar të tjerë.
Policia ka nisur punën për zbardhjen e ngjarjes por deri tani kuk jepet asnjë version zyrtar në lidhje me sulmin, por gjithsesi profesioni i viktimës nuk ka përjashton mundësinë e ndonjë sulmi për shkak të detyrës. Skerdilajd Konomi punonte si gjyqtar në Gjykatën e Shkallës së Parë në Vlorë prej rreth 6 vjetësh. Aktualisht, është duke vazhduar këqyrja e vendit të ngjarjes dhe grumbullimi i provave. Nga kjo është gjetur pranë autoveturës edhe celulari i Konomit, që mendohet se do të shërbejë si një provë e rëndësishme në procesin e hetimit.


