in

Azilanti seksual

Për herë të parë Italia i njeh azilin një  homoseksuali të huaj. Është një shqiptar.
Edhe pse ligji shqiptar nuk e kriminalizon homoseksualitetin, studentit shqiptar homoseksual i  njihet statusi i  azilantit (refugjatit) pasi “në atdhe është objekt kërcënimesh të rënda nga konteksti shoqëror”

Romë, 18 maj 2007 – Refugjat sipas nenit 1 të Konventës së Gjenevës” shkruhet në një dekret të muajit prill të komisionit territorial të Foggias, dekret që i jep fund muajve të frikës dhe të pasigurisë për të riun shqiptar, ardhur në Itali në vitin 2004.

Është historia e një shqiptari: i përçmuar në Shqipëri vetëm pse është homoseksual, i kërcënuar me vdekje nga vëllai, i bërë hasha nga familja. Shqiptari 21-vjeçar është i pari në Itali, që ka fituar statusin e refugjatit për shkak se në atdhe është objekt kërcënimesh të rënda nga konteksti shoqëror, edhe pse formalisht kuadri ligjor shqiptar aktualisht nuk kriminalizon personat homoseksualë. Në të vërtetë, Italia ka edhe të tjerë refugjatë për motive diskriminimi seksual, por të gjithë precedentët ishin shtetas të vendeve që kanë ligje që mundësojnë keqtrajtimin, kriminalizimin dhe goditjen e homoseksualitetit. Një rezultat i arritur falë mobilizimit të shoqatës Arcigay të Toskanës dhe Qendrës kundër diskriminimit të provincës së Pistoias.

Shqiptari ka hyrë në Itali në vitin 2004 dhe ka marrë lejen e qëndrimit. Gjatë qëndrimit të tij në Toskanë, Arbeni (emri është i trilluar) ka deklaruar homoseksualitetin e tij duke u larguar prej të njohurve shqiptarë, por që ndërkohë e kishin kuptuar orientimin e tij seksual. Më pas edhe familja e tij është informuar nga shokët mbi homoseksualitetin e djalit – gjë për të cilën ndoshta dyshonte – dhe e ka kërcënuar rëndë, edhe me vdekje. Më pas kur Arbenit i ka skaduar leja e qëndrimit, nuk pati guxim të kthehej në Shqipëri dhe vazhdoi të qëndronte në Itali, tashmë klandestin. Vetëm kohë më pas, pasi mposhti frikën e ndrojtjen, iu drejtua shoqatës Arcigay dhe Qendrës antidiskriminim të provincës së Pistoias.

Por ndërkohë ndërsa përgatitej praktika për kërkesën e statusit të refugjatit, Arbeni mori një dekret dëbimi, u mbyll në CPT-në e Barit dhe rrezikoi riatdhesimin. “Por homoseksualët në Shqipëri e kanë të vështirë jetesën, shoqëria i mënjanon, ndërsa mediat i ironizojnë, ndonjëherë i nënshtrohemi edhe dhunës fizike” tregon Arbeni. Kjo i ndodhi edhe atij, në moshën 16-vjeçare: “Kur fillova ta kuptoj si isha, as nuk e dija që ekzistonte fjala gay, mu desh ta kërkoja në internet”. Ndërkohë i vëllai diçka ka kuptuar e filloi ta rrihte e ta mbyllte në banjë. “Më ulërinte se e turpëroja, se duhej të martohesha si gjithë të tjerët. Familjarët e mi jetonin në Tiranë, ndërsa ne në një fshat, kështu që nuk e morën vesh atëherë”. Arbeni mundohej të fshihte homoseksualitetin e tij duke dalë me vajza, duke u shtirur sikur bënte “një jetë normale”, siç dëshironte i vëllai derisa një ditë vendosi të largohej për të ardhur në Itali. Regjistrohet në Universitet, merr lejen e qëndrimit dhe vendos të bëjë jetën e vet. Ndërkohë familja e merr vesh, atë çka i vëllai pak a shumë dinte. “Imë më tha që jam i sëmurë, për tim atë e time motër nuk ekzistoj më. Ndërsa vëllai më nis letra kërcënuese” tregon Arbeni.

Për sa kohë ka lejen për studime, nuk ka probleme. Gjatë një takimi publik me deputeten Vladimir Luxurian në Pistoia, zbulon që mund të kërkojë statusin e refugjatit: prej disa muajsh, falë një amendamenti të senatorit Giampaolo Silvestri, statusin mund ta fitojë edhe kur në atdhe nuk ka legjislacion specifik kundër homoseksualëve. Vihet në lëvizje Arcigay i Toskanës me avokatët e vet, Qendra kundër diskriminimit e provincës së Pistoias, merren me çështjen e Arbenit politikanët  Mercedes Fryas, Giovanni Russo Spena. “Nuk e kishim aspak të lehtë: duhej të tregonim në mënyrë të qartë e të dokumentuar që shqiptari diskriminohej në atdhe. Paraqitëm dokumentacion të plotë sikur po hapnim çështje penale. Ka qenë mjaft e vyer ndihma e ofruar nga Komiteti shqiptar i të drejtave njerëzore” tregojnë përgjegjësja e zyrës për Mundësi të Barabarta së provincës së Pistoias, Daniela Gai dhe operatoret e qendrës, Barbara Beneforti dhe Anna Aiello.

Ndërsa ishte vetëm një hap larg fitimit të statusit, Arbeni rrezikon dëbimin: “Isha në Bari me një mik. Karabinierët na ndaluan, e na kërkuan dokumentet. Leja ime e qëndrimit ishte e skaduar ndaj më çuan në CPT”. “Vetëm falë rrjetit të avokatëve të Arcigay-t dhe ndërhyrjes sonë të menjëhershme u ndalua masa e dëbimit” tregon Bert D’Arragon, kryetari i Arcigay të Toskanës. Pas 13 ditësh në CPT-në e Barit e të Brindizit, “ku është vështirë të garantohet e drejta kushtetuese e mbrojtjes” (siç ankohen operatoret e Qendrës së Pistoias, Arbeni lihet i lirë. Pak javë më pas mbërrin Statusi i refugjatit. “Përpara rastit të Arbenit, një i ngjashëm në Europë është verifikuar në Suedi ” sqaron D’Arragon, që paralajmëron risi në ligjet krahinore kundër diskriminimit.

Bota shqiptare nr. 173 – 18 maj 2007

Burgu s’është për burrat

Karta e vlerave të qytetarisë dhe të integrimit – dokumenti i plotë