Gjatë tre viteve të fundit, rreth 117 mijë shqiptarë ose 4% e popullsisë së Shqipërisë kanë kërkuar strehim në një nga vendet e BE-së. Nga këta, 40 mijë të mitur
Romë 22 mars 2018 – Gjatë vitit 2017, në 28 vendet e BE-së kanë kërkuar për herë të parë azil 649.855 persona. Shifër që është sa gjysma e atyre rekord që u regjistruan në dy vitet pararendëse (1.206.120 në vitin 2016 dhe 1.257.610 në vitin 2015). Në veçanti, numri i shqiptarëve që gjatë vitit 2017 kërkoi për të parën herë strehim në vendet e Bashkimit Evropian ra në 22.075 (8.825 femra), nga 28.925 që ishte në vitin 2016 dhe 65.935 në vitin 2015. Këto shifra jep raporti i fundit i Eurostat-it (agjencia evropiane për statistikat) mbi azilkërkuesit në BE.
Ndryshe nga vitet 2015 e 2016, kur azilkërkuesit shqiptarë patën si destinacion kryesor Gjermaninë, gjatë vitit 2017, vendi më i dëshiruar nga shqiptarët ishte Franca ku kërkuan azil 11.395 persona. Gjermania zbriti në vend të dytë me 3.775 kërkesa azili. Pas tyre renditen Greqia me 2.345, Mbretëria e Bashkuar me 1.690, Suedia me 685 aplikime, Belgjika 670, Italia 465, Holandë 365 etj. Në Itali, numri i azilkërkuesve shqiptarë të 2017-tës është më i larti i tre vjetëve të fundit: në vitin 2016 kishin aplikuar për azil 365 shqiptarë ndërsa në vitin 2015, 420 shqiptarë.
Përsa i përket grupmoshave të azilkërkuesve shqiptarë të vitit 2017, 7.065 ishin të mitur: 6.585 deri në 14 vjeç dhe 1.315 nga 14 në 17 vjeç. Edhe për të miturit, destinacioni i parë ka qenë Franca ku gjatë vitit të shkuar kërkuan azil 3.785 vetë. Nga azilërkuesit e tjerë shqiptarë në BE, 10.550 mijë ishin me moshë nga 18 deri në 35 vjeç, 4.250 me moshë nga 35 deri në 64 vjeç.
Në veçanti, përsa u përket të miturve (nën 18 vjeç) shqiptarë azilkërkues në tre vjetët e fundit ka rënë nga 22.750 të vitit 2015, në 10.540 në vitin 2016, deri në 7.065 të vitit të shkuar.
Për një vend si Shqipëria me 2.870.324 banorë (më 1 janar 2018, sipas INSTAT), 116.935 personat që kanë kërkuar azil në BE gjatë tre vjetëve të fundit janë vërtet shumë: përbëjnë 4% të popullsisë. E thënë ndryshe, çdo 25 rezidentë, një ka kërkuar azil në një vend të BE-së gjatë tre vjetëve të fundit. E fakti që nga azilkërkuesit shqiptarë, 40.355 kanë qenë të mitur, e bën akoma më dramatik e alarmues fenomenin pasi vë në dukje se Shqipërisë po i ikën e ardhmja.
Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)
Lexo edhe:
Azilkërkuesit shqiptarë në BE, rreth 66 mijë në vitin 2015
Vazhdon “braktisja” e të miturve shqiptarë në Itali