in

“Ballkan Pazar” në kinematë italiane

Nga 8 korriku, filmi Ballkan Pazar, vepra e fundit e regjisorit Edmond Budina, do të shfaqet në sallat e kinemave italiane

Romë, 7 qershor 2011 – Nga 8 korriku, filmi Ballkan Pazar, vepra e fundit e regjisorit dhe aktorit shqiptar Edmond Budina, do të shfaqet në sallat italiane, e shpërndarë nga Mediaplex Italia. Filmi është prodhim italo-shqiptar; ka lindur nga bashkëpunimi i Mediaplex Italia dhe Erafilm.

Pas premierës së mirëpritur nga publiku dhe kritika në Festivalin e 15-të të Filmit në Sofje, vepra e Budinës, i cili prej shumë vjetësh jeton në Itali, i është ofruar fillimisht publikut shqiptar nga muaji prill. Ka patur një pritje shumë të mirë si nga publiku ashtu dhe nga kritika. Nuk munguan, siç parashikohej, edhe polemika nga Greqia lidhur me tematikën e trajtuar nga autori.

Në qendër të filmit, i cili fillimisht mendohej të mbante titullin “Vallja e flamurëve”, është ngjarja e vërtetë e zhvarrimeve në fshatin Kosinë të Përmetit, atje ku u zhvarrosën të vdekurit vendas për t’ua shitur eshtrat në vend të atyre të ushtarëve grekë. Ky episod, që përbën bazën e rrëfimit të Budinës, ka përfshirë në film kryesisht dy gra njëra italiane Orsona (e interpretuar nga aktorja italiane Veronica Gentili) dhe nëna e saj franceze Joli (e interpretuar nga Catherine Wilkening). Këto dy gra, që përfundojnë në vorbullën ballkanike të tregëtimit edhe të eshtrave, në Shqipëri gjejnë dhe dashurinë.

Në Itali Edmond Budina është njohur në vitin 2003 me filmin “Lettere al vento” (Letra në erë) i cili ka marrë pjesë në mbi 30 festivale e ka fituar disa çmime. Gjithashtu ai ka qenë për shumë kohë pjesë e trupës së aktorëve të serialit të njohur  “Un posto al sole”, ku luante rolin e Nikos.

Irida Cami

Qira në të zezë? Nga sot të leverdis ta denoncosh

Një shqiptar në Itali fiton sa 4,7 shqiptarë në atdhe